Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që obligon mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky vendim cenon rëndë funksionimin e ndërmarrjeve vendore dhe ekonominë e Kosovës, prandaj kërkuan edhe vendosjen e një mase sigurie.
“Sapo deponuam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e cila në mënyrë të dhunshme nxjerrë rreth 1 mijë e 300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, sepse treg të lirë të energjisë elektrike në Kosovë nuk ka”, tha ai, në një konferencë për media.
Tahiri theksoi se ky vendim i ZRrE-së, i cili u legjitimua edhe nga Gjykatës Themelore dhe nga ajo e Apelit, shkon në dëm të ekonomisë së vendit.
“Kemi argumentuar mjaftueshëm mirë që këto vendime të dy gjykatave, të këtyre dy niveleve janë vendime që bien në kundërshtim me rendin tonë kushtetues. Prandaj, ne sot kërkuam një masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të pezullohet implementimi i këtij vendimi”, shtoi ai.
tutje ai tha se ky vendim i ZRrE-së i konvenon vetëm këshilltarëve të kryeministrit Kurti, që tashmë shesin energji elektrike.
“Tashmë është një grup i ngushtë kriminal, që sillet rreth zyrës së kryeministrit, këshilltarë të kryeministrit, të cilët shesin energji elektrike dhe këto biznese e këta njerëz janë të detyruar të blejnë energji elektrike rreth 280 për qind më shtrenjtë se sa e kanë paguar deri para pak muajve”, shtoi ai.