Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për deklaratën e dhënë në ShBA, i cili duke folur për pezullimin e dialogut strategjik, ka thënë se nuk mund të bëjë kompromis me ligjin për situatën në veri.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku duke kritikuar deklaratën e Kurit ka thënë se “Problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tuat, Albin, edhe sikur të doje ti”.
“A e kupton çfarë gjendje deliri dhe vetëmadhështie duhet për të folur në atë mënyrë?E pastaj të japësh leksione për demokraci e sundim të ligjit…Kushtetutën e keni shkelur me vetëdije dhjetëra herë. Kabineti qeveritar ose është me aktakuza, ose nën hetime. Vetë refuzon të paraqitet në prokurori për aferat multimilionëshe. Dhe megjithatë, flet për rend e ligj.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Kurti po hyn në histori si njeriu që po shkatërron miqësinë me Amerikën.
“Kurti, po hyn në histori si njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë. Kjo nuk është as trimëri, as vizion, por është aventurizëm politik dhe pavetëdije e plotë për pasojat.Këto “jo”-të e Kurtit, janë po-ja më e madhe për izolimin e Kosovës!Historia e Kosovës është e shkruar me gjakun e dëshmorëve tanë, mprehtësinë e udhëheqësve tanë historik dhe me ndihmën vendimtare të Amerikës. Pa NATO-n e udhëhequr nga SHBA, nuk do të kishte liri. Pa SHBA, nuk do të kishte pavarësi. Pa SHBA, nuk do të kishte njohje ndërkombëtare. Sot, ai partner që na qëndroi pranë në ditët më të vështira po dëgjon nga ‘Kryeministri’ i Kosovës për veprime të papërgjegjshme dhe fjalë fyese”, ka shkruar ajo ndër të tjera.