Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan, përmes një komunikate për media ka akuzuar qeverisjen aktuale, për keqpërdorim të parasë publike, që sipas tyre po e dëmtojnë rëndë buxhetin komunal.
Më tutje në komunikatë thuhet se kontrata e komunës me NPL “Tregun”, po keqpërdoret nga kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Komunikata e plotë:
Skandalet e qeverisjes së VV-së në Gjilan janë bërë ditore, e keqpërdorimet e parasë publike po e dëmtojnë rëndë buxhetin komunal.
Kontrata e komunës me ndërmarrjen lokale “Tregu” po keqpërdoret drejtëpërdrejtë nga kryetari i Komunës, duke punësuar militantë të VV-së, që marrin paga pa punuar fare e që nuk gjenden fare në Kosovë.
Sipas raporteve zyrtare, ka disa zyrtarë që figurojnë në listën e të punësuarve në NPL Tregu, marrin paga nga buxheti i komunës së Gjilanit, ndërsa këta punëtorë janë në shtetet perëndimore dhe të vetmen punë që bëjnë janë postimet për lëvdatat që ja bëjnë kryetarit të komunës dhe komentet në rrjetet sociale që shajnë e fyejnë opozitën.
Pas interesimit tonë si subjekt për të marrë informata dhe qasje në dokumente zyrtare, janë alarmuar drejtoria e arsimit dhe admnistrata e komunës, duke u munduar t’i fshehin faktet dhe këto keqpërdorime.
Ftojmë akterët relevantë, dhe pse jo edhe mediat që të hulumtojnë dhe publikojnë këto skandale.