Në vazhdën e takimeve me qëllim të reformave dhe fuqizimit të organizimit të brendshëm nëpër degë, me vendim të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, po vazhdon puna dhe riorganizimi i strukturave udhëheqëse për të sjell vizion të ri dhe fitore të reja për qytetarët e Kosovës.
Komisioni i Kryesisë Qendrore të PDK-së, përgjegjës për Riorganizimin e Degës së PDK-së në Gjilan, ka takuar sot anëtarët e Kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan, ku kanë diskutuar për nevojën për reformim të kësaj dege, për fuqizimin e saj dhe krijimin e vizionit fitues për qytetarët e komunës së Gjilanit, në zgjedhjet e ardhshme.
Në takim u diskutua dhe dakordua se Partia Demokratike në Gjilan duhet të hapet për kuadro të reja, me profesionistë të dëshmuar, me vizion shtetndërtues dhe qasje gjithëpërfshirëse, duke pasur prioritet gratë dhe rininë në vendimmarrje, kur dihet se Partia Demokratike ishte dhe është promotore e çdo suksesi në Republikën e Kosovës.
Me riorganizimin e Degës së PDK-së në Gjilan, priten rezultate të cilat do të jenë në pajtim me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, me prioritete për pushtetin lokal, duke mos u shmangur nga sfidat dhe përgjegjësitë para elektoratit tradicional dhe elektoratit të ri i cili pret punë e përkushtim për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Pas këtyre reformave në Degën e Gjilanit, Partia Demokratike e Kosovës me punën dhe përkushtimin e saj, si përfaqësuese e interesit të mirëfilltë qytetar, do të jetë pa dyshim fituese, sepse, ka dëshmuar kohezionin qytetar e institucional në promovimin e vlerave politike, qytetare e shtetërore të Kosovës.