Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ka konfirmuar se Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mundem me konfirmu se PDK, Ligjin për Byronë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese sepse shkeljet janë të qarta, nuk ka pasur konsultim publik”, tha ai.
Këtë deklarim, ai e bëri të hënën në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku në kuadër të Javës Kundër Korrupsion 2024, u publikua raporti “Dështmi i reformës në drejtësi’.
Gruda tha se ky është një premtim i PDK-së, qysh në fillim se secili ligj që ka shkelje do të dërgohet në Kushtetuese.
Sipas tij, Qeveria nuk ka interes ta bëjë këtë ligj, por më qëllim bën gabime dhe harton ligjin me shkelje veç të thonë që opozita po e dërgon ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Ndryshe, më 5 dhjetor 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi në të dyja leximet Projektligjin për Byronë.
Më 19 janar 2022, IKD-ja kishte konstatuar se Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshëm nuk është e pavarur sipas Projektligjit aktual.
Më 26 qershor 2024, Kushtetuesja kishte rrëzuar Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Dërgimi i Ligjit për Byronë në Gjykatën Kushtetuese kishte ndodhur më 21 shkurt 2023.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të hënën ka organizuar tryezë diskutimi për sfidat e reformës në drejtësi si dhe ka publikuar raportin me titull “Dështimi i reformës në drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi