Partia Demokratike e Kosovës do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për zyrtarët publikë i cili u miratua sot në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se presin rrëzimin e padiskutueshëm të këtij Ligji.
Ai thotë se misioni i ri i Qeverisë është “largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre”.
“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij. Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.
“Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”, përfundoi Krasniqi.