Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka organizuar sonte në Prishtinë aktivitetin përmbyllës të fushatës së saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, gjatë fjalës së tij theksoi se qëllimi i tyre është hapja e një kapitulli të ri për vendin.
“Sonte nuk është vetëm mbyllja e fushatës, por fillimi i një kapitulli të ri për Kosovën – kapitull i unitetit, zhvillimit dhe dinjitetit. Është një kapitull ku çdo qytetar do të ndihet i përfaqësuar, i respektuar dhe i sigurt për të ardhmen”, tha Hamza.
Ai gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke nënvizuar se vendimi për të ardhmen e vendit do të merret nga qytetarët të dielën, përmes votës për numrin 130.
“Sonte jemi këtu për t’u pajtuar për një vendim të përbashkët për të ardhmen e Kosovës – një vendim që nuk merret në këtë skenë, por në kutitë e votimit”, përfundoi ai.

