Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar ofertën e Albin Kurtit të Vetëvendosjes, për takim nesër nga ora 8;30, një orë e gjysmë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim” – ka thënë Krasniqi.
Ai tutje është shprehur se “gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.”.
Por për nënkryetarët s’ka diskutim ka thënë Krasniqi.
“Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.” – ka shkruar tutje ai.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuti, ka kërkuar një takim me liderët e LDK-së dhe PDK-së më 1 maj, me synimin për të diskutuar formimin e institucioneve të reja, pas ngërçit institucional të krijuar si pasojë e dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Takimi është paraparë të mbahet të enjten në orën 08:30.
“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit në adresë të LDK-së dhe PDK-së.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, tha se kjo parti nuk do ta mbështesë asnjë anëtar të VV-së për pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi zgjedhja e personit në krye të këtij institucioni kërkon “marrëveshje politike”, të cilën, tha ajo, nuk mund ta bëjnë me LDK-në.
“Nuk kemi votë për asnjë anëtar të LVV si kryekuvendar, teksa për nënkryetar e mirëkuptojmë që nuk është barra e njëjtë e neutralitetit dhe jemi dakord këdo që e propozojnë dhe e votojmë si pako. Një nënkryetar na takon me Kushtetutë, është e drejtë që e kemi fituar me rezultat zgjedhor, andaj nuk kemi pse ta diskutojmë me kryetarin e VV. Ndërkaq, kryekuvendari kërkon marrëveshje politike – por jo me ne.” – tha deputetja e LDK-së për Nacionalen.
Në këtë kontekst, deputetja e LDK-së tha se një qëndrim i tillë “qartëson mjaftueshëm” se ata “nuk marrin pjesë në takim.”
“Në takim nuk marrim pjesë, meqë e mësipërmja qartëson mjaftueshëm dhe nuk kemi pse të diskutojmë asgjë shtesë. Për kryekuvendar, le të diskutojë me partitë që kanë gatishmëri të votojnë kandidatë të tjerë të VV.” – tha Kica-Xhelili për Nacionalen.
Refuzimin e ftesës e konfirmoi edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili i tha Nacionales së nuk marin pjesë në asnjë takim me VV-në.
“Ka ftesë. Nuk marrim pjesë në takim, njëkohësisht kryetari Abdixhiku nuk është në Kosovë. Për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi sepse janë pozita të përfaqësimit partiak. Çështja e Kryetarit të Kuvendit është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim.” – tha ai.
Kujtojmë se për herë të tetë radhazi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë Kuvendin të martën, me kandidaturën e Albulena Haxhiut që sërish nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme.