PDK në Gjilan, ka reaguar ndaj qeverisjes komunale, duke thënë se ka arritur një tjetër pikë të ulët me anulimin e projektit të infrastrukturës nëntokësore në rrugën “Adem Jashari”.
Sipas PDK KY vendim skandaloz ka sjellë ndryshime drastike në planifikimet fillestare, duke anuluar tërësisht punimet e parapara për infrastrukturën bazike si kanalizimi, ujësjellësi, telefonia dhe interneti.
Në vend të përmirësimeve thelbësore, qytetarët tani përballen me një qeverisje të paaftë për të realizuar projekte të rëndësishme për komunitetin.
Komunikata e plotë:
Mjerimi ka emër
Komuna e Gjilanit anulon projektin e infrastrukturës nëntokësore në rrugën “Adem Jashari”.
Ndryshime drastike kanë ndodhur në projektin e infrastrukturës nëntokësore të rrugës “Adem Jashari”, ku janë anuluar tërësisht punët e parapara në tender dhe kontratën e nënshkruar me operatorin ekonomik.
Pra, nuk do të ketë fare investime në infrastrukturën nëntokësore, kanalizim, rrjet të ujësjellësit, telefonisë e internetit.
Asnjë projekt të vetëm komuna e Gjilanit nuk është në gjendje ta fillojë si duhet, e aq më pak ta përfundojë mirë e mbarë.
Pas anulimit të investimeve nëntokësore, qeverisja e dështuar e VV-së ka bërë ndryshime rrënjësore të projektit pa asnjë debat me qytetarë dhe profesionistë.
Ngushtimi i trotuareve për këmbësorë me qëllim të ndërtimit të një shiriti për parking përgjatë rrugës “Adem Jashari”, është gabim dhe dështim në krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe mijëra nxënësve e studentëve të qytetit.
Të gjitha këto anulime, ndryshime dhe punime kozmetike, janë në kundërshtim me planin e mobilitetit që ka qenë i miratuar nga Kuvendi Komunal vite më parë, i cili gjendet diku nëpër sirtarët e institucioneve komunale.
Gjilani po përballet me mjerim institucional, prandaj dështimet janë të jashtëzakonshme, si pasojë e një qeverisje të paditur, paaftë dhe papunëtore.