Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, përmes një komunikate për media, ka akuzuar qeverisjen lokale se ajo po i asfalton rrugët për tek vilat e militantëve të VV-së shkruan Radio Star.
Më tutje në komunikatë thuhet se komuna e Gjilanit, po abuzon me buxhetin e planifikuar dhe duke bërë shpenzime qindra mijëra euro në projektet e paplanifikuara.
Komunikata e plotë:
Kilometra asfalt për villat e militantëve të VV-së
Qeverisja e VV-së po abuzon me buxhetin e planifikuar të komunës së Gjilanit, duke shpenzuar qindra mijëra euro në projekte të paplanifikuara dhe pamiratuara nga Kuvendi Komunal.
Komuna e Gjilanit po i asfalton rrugët e villave e që janë militantë të VV-së, ndërsa hyrjet kryesore të qytetit janë në gjendje të mjerueshme, poashtu në shumë lagje të Gjilanit rrugët dhe trotuaret janë bërë pothuajse të pakalueshme, nga degradimi dhe mungesa e infrastrukturës publike.
Të investosh në këtë formë selektive, ku përfitues janë vetëm individë të caktuar e që janë milionerë me villa luksoze, tregon për kepërdorimin e skajshëm të kryetarit të komunës me buxhetin komunal.
Kësaj qeverisje fare nuk i intereson fakti që shumë lagje, vendbanime e fshatra për vite të tëra presin rregullim të infrastrukturës publike edhe pse projektet e tyre janë të planifikuara dhe miratuara në buxhet vjetor të investimeve.
Gjilani nuk ka kryetar që i shërben qytetarëve, sepse ai është vënë në shërbime të shokëve, familjarëve dhe miqëve të tij.