Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin. Në të njëjtën vijë është deklaruar ditë më parë pas takimit me Osmanin dhe Kurtin edhe Ramush Haradinaj që po synonte të garonte për karrigen më të rëndësishme të shtetit. Deri më tani, sipas burimeve, seanca për të votuar presidentin e ri është paraparë të mbahet në javën kur votohet edhe Qeveria e re.
Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit pritet të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë së re.Gjatë të njëjtës javë është paraparë që të thirret seanca edhe për të votuar presidentin e ri.Mirëpo, Vjosa Osmani që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk po e merr edhe përkrahjen e opozitës për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të shtetit.Ishte Ramush Haradinaj i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet VV-në, sepse në këtë mënyrë pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme.“Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit.
Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhjet, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t’i japim përkrahje VVsë për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, tha ai.Një takim për të vendosur lidhur me çështjen e presidentin e kanë mbajtur edhe në Partinë Demokratike të Kosovës që po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj.Pas disa orë mbledhje, në organin më të lartë të PDK-së është marrë vendim që ky subjekt të mos e votojë Osmanin për kryetare të shtetit.“Njëri prej vendimeve të rëndësishme është që KD i PDK në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente”, tha Hoxhaj.Se nuk votojnë Vjosa Osmanin për presidente ka thënë mbrëmë edhe ish-partiaku i saj në LDK, Lumir Abdixhiku që tashmë është emëruar si kryetar i partisë.Ai ka thënë se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë dhe nuk votojnë president partiak.“LDK nuk do jetë pjesë e qeverisë, sa jam unë kryetar, LDK nuk do të jetë në qeveri, do të jem opozitë, do te merrem me rikthimin e LDK-së, në korrigjimin e gabimeve që kemi pasë duke synuar ruajtjen e nivelit demokratik në vend. Çdo pretendent për president duhet të qartësojë se çfarë pozicioni ka ndaj LDK-së, është pozicion, urryes, apo neutral, sepse presidenti këtë punë ka”, ka thënë ai.“Ne synojmë të ndërtojmë institucione, synojmë t’i shmangim zgjedhjet se qytetarët janë lodhur me zgjedhje, kërkojmë që pozita e presidentit të jetë e pavarur. Nuk po e personalizojë Hashim-Vjosë sepse po të ishte në nievl personal, zgjedhja do të ishte e thjeshtë. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçit, nuk duam prapë një president partiak, presidenti duhet të ketë neutralitet”, ka përfunduar Abdixhiku.Vjosa Osmani do të nominohet për presidente, derisa, për këtë çështje e njejta ishte dakorduar me Kurtin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore.Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.