Të enjten, 10 marrëveshje ndërkombëtare kanë marrë dritën e gjelbër për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Meritore për këtë ishte Partia Demokratike e Kosovës, me ndihmën e së cilës kaluan ujditë që nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së kuorumit.
Mirëpo, këta të fundit nuk votuan për dy marrëveshje ndërkombëtare dhe për njërën kërkuan shtyrje.
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk votuan për projektligjin i cili mundëson shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze.
Dritën e gjelbër nuk e mori as projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.
Madje pati pika edhe që u kërkua shtyrje nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E ato nuk i miratoi krye-parlamentari, Glauk Konjufca.
Pas votimit të tyre, brenda kësaj seance 44 deputetë nënshkruan një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.
Në të, u kërkua të trajtohen me urgjencë ratifikimi i marrëveshjes kornizë ushtarake mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë dhe Marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj.
Për marrëveshjen ushtarake kornizë me Turqinë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka treguar se çka parasheh.
Derisa për marrëveshjen e trajtimit të ujërave të zeza ka folur ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.
Në këtë seancë, në mungesë kuorumi edhe njëherë ka dështuar votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Vetëm 37 deputetë morën pjesë në votimin për amendamentin e propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.
Deri në seancën e 16 majit, marrëveshjet ndërkombëtare disa herë kanë dështuar për shkak që opozita nuk i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Vlera e këtyre marrëveshjeve është rreth 300 milionë euro./teve1/