Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan ka reaguar ndaj ftesës së kryetarit të komunës, Alban Hyseni, për takim lidhur me miratimin e buxhetit për vitin 2025, duke e cilësuar atë të vonuar dhe të panevojshme.
PDK thekson se miratimi i buxhetit varet nga përmbushja e disa kërkesave ligjore dhe procedurale, përfshirë transparencën në shpenzime dhe respektimin e procedurave ligjore.
Sipas saj, inatet politike dhe mungesa e profesionalizmit në qeverisje e kanë futur komunën në një gjendje kaosi, ndërsa vendimmarrja duhet t’i takojë Kuvendit Komunal dhe jo takimeve politike jashtë tij.
Komunikata e plotë:
Përgjigjja e PDK-së në ftesën për takim nga kryetari i Gjilanit z.Hyseni
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tejet të vonuar ftesën zyrtare të kryetarit të komunës së Gjilanit, për tu takuar me kryetarin e degës së PDK-së Riad Rashiti, për të diskutuar seriozisht dhe profesionalisht lidhur me miratimin e buxhetit komunal për vitin 2025.
Pa pjekuria politike e kryetarit të Gjilanit, e ka sjellë komunën e Gjilanit në këtë gjendje kaosi në të gjitha aspektet dhe në të gjitha fushat. Inatet politike dhe kokëfortësia në qeverisje janë të dëmshme, besoj se tashmë e kanë provuar dhe janë ngopur me to.
PDK ka qenë dhe do të jetë konstruktive në vendimarrjen e Kuvendit Komunal, sikurse që ka miratuar buxhetin e vitit 2024 dhe çdo projekt tjetër që i ka shërbyer interesit të qytetarëve të komunës sonë.
PDK nuk ka qenë dhe nuk është pengesë për miratimin e buxhetit 2025. Që nga fillimi kërkuar respektimin e procedurave ligjore, diskutime profesionale për planifikim, veprime ligjore në shpenzimin e buxhetit komunal, transparencë dhe llogaridhënien përmes raportimeve në Kuvendin Komunal të Gjilanit. E që fatkeqësisht asnjëra nga këto nuk ka ndodhur nga ana e kryetarit të Gjilanit.
Ftesa për takim në mes kryetarit të komunës së Gjilanit dhe kryetarëve të subjekteve politike është e panevojshme, sepse vendimarrja në Kuvendin Komunal i përket anëtarëve të zgjedhur të Kuvendit Komunal.
PDK në Gjilan, do të votojë miratimin e buxhetit komunal 2025, vetëm atëherë kur të realizohen këto kërkesa ligjore dhe procedurale që i kemi paraqitur nga muaji shtator 2024, e ato janë:
1. Zbatimi i plotë i ligjshmërisë në procedurat e planifikimit, miratimit dhe shpenzimit të buxhetit komunal për vitin 2025.
2. Llogaridhënie dhe transparencë të plotë në shpenzimet e buxhetit të komunës për vitin 2025, përmes raporteve mujore tek komisioni i Kuvendit Komunal.
3.Të formohet një komision nga anëtarët e Kuvendit Komunal por i kryesuar nga opozita, për mbikqyrjen e realizimit të investimeve në projektet e buxhetuara dhe monitorimin e plotë të shpenzimeve të buxhetit 2025 për kategorinë e subvencioneve, mallra dhe shërbime.
4.Propozimet konkrete dhe praktike të PDK-së për planifikim të buxhetit 2025, do të jepen pas realizimit të pikave 1 dhe 2.
Në mënyrë që kontributi ynë të jetë profesional dhe përmbajtësor për planifikimin e buxhetit 2025, në kuadër të pikës 1, duhet të ndërmerren këto veprime nga Kuvendi Komunal dhe nga ekzekutivi i komunës së Gjilanit.
a) Organizimi dhe mbajtja e dëgjimit publik me qytetarë nga KPF, lidhur me propozim buxhetin e vitit 2025
b) Para seancës së Kuvendit Komunal, të ftuar për miratimin e buxhetit komunal 2025, kërkojmë:
– Raportin e plotë financiar për vitin 2024.
– Raporti i Auditorit të Përgjithshëm i vitit 2023 të diskutohet në seancë të Kuvendit Komunal, me prezencën tuaj.
– Listën e detajuar të projekteve kapitale të planifikuara te buxheti i drejtorisë për zhvillim ekonomik, për bashkëfinancim të projekteve 2025.
– Planifikimin e detajuar të buxhetit për kategorinë mallra dhe shërbime, për të gjitha drejtoritë dhe njësitë tjera administrative
– Planifikimin e detajuar të buxhetit për kategorinë e subvencioneve për vitin 2025
– Listën e të gjitha projekteve të miratuara në buxhetin e vitit 2024, sipas % së punëve që janë realizuar dhe buxhetit të shpenzuar, që janë në realizim poashtu sipas %, apo të projekteve cilat nuk kanë nisur fare gjatë vitit 2024. Edhe të atyre projekteve që kanë qenë të miratuara përmes bashkëfinancimit.
– Planin e punës për vitin 2024 nga Zyra e Prokurimit për aktivitete e planifikuara.
– Listën borgjeve të komunës së Gjilanit deri më 31.12.2024, për shpronësimet e papaguara dhe të obligimeve ndaj operatorëve ekonomik të kontraktuara nga komuna e Gjilanit.
– Propozimin e ekzekutivit për bartjen e mjeteve buxhetore të mbetura të vitit 2023 dhe planifikimin e bartjes buxhetore të vitit 2024 në vitin 2025.
– Listën e plotë të punësuarëve përmes kontratave në vepër në administratën komunale, shëndetësi dhe arsim, prej 01 janar 2025.
Në kuadër të pikës 2, për llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve të buxhetit në vitin 2025, kërkojmë raporte mujore financiare për ta monitoruar punën e ekzekutivit në aspektin e realizimit të projekteve dhe të pagesave që bëhen në secilën kategori të shpenzimeve.
Ndërsa për të zbatuar këto kërkesa tona, është i domodoshëm formimi i një komisioni nga ana e Kuvendit Komunal, si instrument i krijimit të mirëbesimit në mes të pushtetit dhe opozitës.
PDK në Gjilan zotohet publikisht, se pas realizimit të kërkesave tona, e do të jemi pjesë e vendimarrjes për ta miratuar buxhetin komunal të vitit 2025.