Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Gjilan ka akuzuar kryetarin Alban Hyseni për keqmenaxhim të buxhetit dhe punësime të jashtëligjshme.
Sipas komunikatës së PDK-së, shpenzimi prej 1.2 milionë euro është përdorur kryesisht për punësimin e familjarëve dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, opozita pretendon se një pjesë e të punësuarve me kontrata në vepër angazhohen kryesisht në sulme ndaj opozitës në rrjetet sociale.
PDK e cilëson këtë situatë si shenjë të tensionimit të kryetarit Hyseni, duke parashikuar fundin e tij politik në zgjedhjet e ardhshme.
Komunikata e plotë:
50 mijë euro paga të jashtëligjshme vetëm për dy fotografistët e kryetarit të Gjilanit
Shpenzimi i buxhetit prej 1.2 milion euro është bërë vetëm për të punësuarit e familjarëve të pushtetit të VV-së në Gjilan dhe militantëve të tyre.
Kryetari i Gjilanit ka punësuar jashtëligjshëm dy fotografistë në zyren e tij, me pagë mujore prej 690 euro, e për tri vite shpenzoi mbi 50 mijë euro.
Prej 82 të punësuarve me kontrata në vepër, shumica prej tyre orarin e punës e kalojnë duke u marr me opozitën përmes fyerjeve e shpifjeve nëpër rrjetet sociale.
E kuptueshme është tensionimi i kryetarit të Gjilanit, kur po e sheh fundin e tij dhe pas pak muajsh do të jetë pjesë e opozitës, duke dalë mashtrues edhe për të gjithë këta 82 të punësuarit me kontrata të përkohëshme, të cilëve iu ka premtuar punësime përmes procedurave të rregullta.