Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Gjilan, ka vlerësuar gjashtëmujorin e parë të kryetarit të komunës, Alban Hyseni, si një periudhë dështimi, raporton Radio Star.
Në komunikatën e lëshuar për media, PDK-ja ka renditur disa nga dështimet që, sipas tyre, kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Ata kanë theksuar mungesën e profesionalizmit në administratën komunale, duke sjellë në vëmendje problemet dhe mangësitë që kanë prekur qytetarët e Gjilanit.
Komunikata e PDK-së:
Kryetari i Komunës ka dështuar në shumë aspekte gjatë gjashtëmujorit të parë.
Në 6 muajt e parë të vitit, çdo gjë është dështim në Komunën e Gjilanit. Dëgjimi publik për raportin 6-mujor të punës, i cili është një obligim ligjor dhe pjesë konstituive e përpjekjeve për transparencë, vetëm sa e ka theksuar gjendjen e mjerueshme të komunës sonë. Ja disa nga dështimet dhe mungesat e profesionalizmit që kemi parë:
✔️Mungesa e bartjes së mjeteve nga viti paraprak- Asnjë përparim në ekzekutimin e mjeteve të mbetura nga viti i kaluar.
✔️Anulimi dhe mos realizimi i Planit Zhvillimor Komunal (PZHK)- Mungesë vizioni dhe profesionalizmi në planifikimin afatgjatë.
✔️Mosfunksionimi i komisioneve profesionale- Komisionet e domosdoshme për zhvillimin e projekteve janë jofunksionale.
✔️Bllokimi i punës së Kuvendit- Mosmbajtja e seancave dhe pengimi i punës nga ana e ekzekutivit ka çuar në stagnim të vendimeve të rëndësishme.
✔️Premtimet boshe dhe projektet e dështuar- Shumë projekte të premtuara janë lënë në gjysmë ose nuk janë filluar fare.
✔️Mungesa e koordinimit për miratimin e buxhetit- Buxheti për vitin 2025 në krizë për shkak të mungesës së koordinimit midis ekzekutivit dhe Kuvendit Komunal.
✔️Gjendja katastrofale në QKUK- Shërbimet shëndetësore janë në gjendje të mjerueshme, me mungesë të pajisjeve dhe stafit të kualifikuar.
✔️Nepotizmi dhe keqmenaxhimi në NPL Tregu Gjilan- Emërimet e bazuara në lidhje familjare dhe jo në meritë kanë çuar në keqmenaxhim të tregut.
✔️Mbi 220 punëtorë në kontrata mbi vepër- Angazhimi i punëtorëve pa kontrata të rregullta ka krijuar pasiguri dhe mungesë stabiliteti.
✔️Kaos urbanistik- Planifikimi i dobët urban ka çuar në zhvillim të pakontrolluar dhe kaos në ndërtim.
✔️Kaos në trafik- Menaxhimi i dobët i trafikut ka krijuar bllokime dhe mungesë të sigurisë në rrugë.
✔️Kualitet i dobët i punëve- Shumë projekte publike janë realizuar me kualitet të ulët, duke çuar në nevojën për riparime të shpeshta.
✔️Kurdisje të tenderëve- Proceset e prokurimit janë të manipuluara, duke favorizuar kompani të caktuara në mënyrë të padrejtë.
✔️Tenderë për projekte me negocim- Projektet arkitekturore po ndahen përmes negociatave të drejtpërdrejta, duke anashkaluar konkurrencën dhe transparencën.
✔️Shkolla pa drejtorë- Shumë shkolla po funksionojnë pa drejtues të emëruar, duke penguar zhvillimin arsimor.
✔️Dështim në DKA për menaxhim- Drejtoria e Arsimit ka dështuar në menaxhimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në komunë.
✔️Konkursë të kurdisura- Konkursët për pozita publike janë të manipuluara dhe të destinuara për të favorizuar të përkdhelurit.
✔️Anulimi i konkurseve- Kur të përkdhelurit dështojnë, konkursët anulohen në mënyrë të padrejtë.
✔️Dështime në shëndetësi- Kujdesi shëndetësor është i papërshtatshëm dhe me mungesa të theksuara në shërbimet bazë.
✔️Dështime në zhvillim ekonomik- Subvencionet ju jepen familjarëve të asambleistëve të pushtetit dhe militantëve, duke anashkaluar bizneset e tjera të nevojshme.
✔️Projekte në kulturë të manipuluara- Projektet kulturore ju jepen individëve të caktuar për të ndalur kritikat ndaj ekzekutivit.
Këto janë vetëm disa nga dështimet që po e mbajnë Gjilanin pa përparuar. Është koha për ndryshim dhe për veprime konkrete në interes të qytetarëve.