Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka reaguar lidhur me videon që publikoi sot Nacionale, ku dëgjohen asambleistët e Vetëvendosjes në Prishtinë, duke u përplasur njëri me tjetrin. Aty përmendet emri i Albin Kurtit, hajnia, pronat në Badovc e deri te akuzat e ndryshme.
Përmes një postimi në Facebook, Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besiana Masmurati, tha që asambleisti nga Lëvizja Vetëvendosje sinjalizoi që shkëmbimi i tokave në Badovc kishte vlerë 50 milionë euro.
Ajo ka thënë se pikërisht kjo ka qenë arsyeja që PDK’ja kishte dalë nga koalicioni me LDK’në në Prishtinë.
“Sot të gjithë jemi dëshmitarë të një videoje, ku një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje haptazi po sinjalizon për shkëmbimet 50 milionëshe që do të ndodhnin në Badovc si pasojë e votës së përbashkët të LVV-së dhe Përparim Ramës. Shpresoj që do të kemi sinjalizim edhe për tjetërsimin e tokës komunale te Stacioni i Autobusëve, ku prap me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Rama tokën komunale e shndërroi në tokë për ndërtim privat”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, Egzon Azemi, që tash më nuk është as asamblist në Prishtinë, e pyet Berat Lahun nëse e kanë kërcënuar me burg. Kjo pasi Lahu që është edhe dhëndër i Liburn Aliut, kishte qenë i arrestuar për rastin Brezovica.
“Nëse të kanë kërcënu me burg, kallxo Për qita po t’bojnë presion”, dëgjohet teksa i thotë Egzon Azemi-Berat Lahut.
“O Egzon, unë e kam vujtë, e kam kry..”, përgjigjet Lahu.
Pjesa më e rëndësishme është kur Lahu kërkon të di më shumë për bisedimet që janë bërë për Badovcin.
“Kur m’i kallxoni negociatat, kur m’i kallxoni negociatat për Badovcin, tani… S’ki nevojë… (nuk kuptohet). E mbroj veten. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin, unë kam me dalë. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin. O s’munet me m’shantazhu mu kërkush. As ti as kërkush. Se ti e bon, se qekjo shantazh osht”, dëgjohet teksa thotë Lahu.
Egzon Azemi e mohon se është duke e shantazhuar Lahun, megjithatë ky i fundit e pyet nëse ka qenë interes i qytetarëve me i dhanë 50 milionë euro komunës.
“Interesi i popullit u kanë me ia jap 50 milionë komunës të Prishtinës a? (Nuk kuptohet)”, thotë Lahu.
Dhëndri i Liburn Aliut flet për një hajni në Badovc në emër të kryeministrit Kurti.
“Në emër të Albin Kutit janë vjedhë edhe për Badovcin. Në emër të Albin Kurtit jam shantazhu. A e nive çka tha? A e nive çka tha? A e nive çka tha? Ti je dëshmitar (…nuk kuptohet)”, dëgjohet teksa thotë Lahu.
“Qe ku o ky zotnia që e votojke Badovcin. Dilke në foltore (nuk kuptohet), e ka negociu. Pse kena nejtë, pse kena nejtë qitu? Në emër të Albinit ia ke dhanë 50 milionë. Ti i ke dhanë, ti, ti, ti (nuk kuptohet). Albin Kurti i thirrke njerëzit në telefon (nuk kuptohet) Dil sqarone atje 50 milionëshin… O Egzon lej këto farë sendesh, a keni marrë masa që e ka votu këto? Mos më bon presion”, thotë Lahu.