Në Gjilan, pushteti lokal i drejtuar nga kryetari aktual, i përkatësisë së Lëvizjes Vetëvendosje (VV), po përballet me akuza të rënda për keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsion nga Partia Demokratike.
Projektet madhore të premtuara nga kryetari kanë mbetur vetëm vizatime në letër, ndërsa fokusi duket se është zhvendosur drejt abuzimeve të shumta thuhet në komunikatën për media.
Në vend që të realizohen projektet e paralajmëruara, shkeljet ligjore dhe korrupsioni janë shndërruar në instrumente për arritjen e interesave personale dhe të ngushta brenda komunës.
Më tutje në komunikatë thuhet se deputetët lokalë, gjithashtu, janë të përfshirë në këtë skemë, duke udhëhequr dhe mbështetur këto veprime të paligjshme, duke krijuar një mjedis ku korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë bërë norma. Kjo situatë e rënduar ka ngjallur reagime të ashpra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila i ka denoncuar publikisht këto skandale dhe ka kërkuar hetime të thella për të zbardhur të gjitha faktet e përfshira.
Shkrimi i plotë:
Skandalet e ndërtimeve, shkeljet ligjore dhe korrupsioni pjesë e organizatës së VV-së në Gjilan
Kryetari i Gjilanit është zhytur thellë në keqpërdorime të pushtetit, saqë i ka harruar në tërësi projektet e vizatuara dhe prezantuara si shtatë dëshirat e tij. Shkeljet ligjore dhe korrupsioni janë bërë instrument mundësie me kry punë ku dhe çka të duash nëpër institucionet komunale, përmes sekserëve të organizatës së VV-së që i ka autorizuar Alban Hyseni për të ndërmjetësuar në tenderë, grante, subvencione e deri te lejet ndërtimore. Deputeti dhe deputetja po i prijnë këtyre sekserëve të Gjilanit.
Sot, PDK do të paraqes në publik vetëm njërin rast se si drejtoria e inspeksionit ka vepruar sipas kërkesës së kryetarit të komunës në kundërshtim me ligjet dhe procedurat e zbatueshme për lejet ndërtimore.
Ngjarjet dhe veprimet, si në vijim;
Më datë 19 tetor 2022, Drejtoria e Inspeksionit harton një procesverbal mbi inspektimin e një objekti që ishte duke u ndërtuar pa leje ndërtimore, konkretisht tejkalim të lejes ndërtimore.
Më datë 2 nëntor 2022, me dy javë vonesë, në bazë të atij procesverbali Drejtoria e Inspeksionit nxjerrë vendim për rrënimin e objektit që ka bërë tejkalim ndërtimi.
Për nëntë muaj nuk ka pas asnjë veprim nga inspeksioni komunal. Pra vendimi për rrënim nuk është ekzekutuar fare.
Më datë 20 korrik 2023, ka ndodhë skandali nga komuna e Gjilanit, konkretisht prej kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni cili kishte urdhëruar dhe detyruar drejtoreshën e inspeksionit znj.Entela Hyseni, që në objektin e ndërtuar pa leje (tejkalim ndërtimi), mbi vendimin e inspeksionit për rrënim të këtij objekti, që të bëjë aktvendimin tjetër për pranimin teknik të objektit për ushtrimin e veptimtarisë së biznesit, duke konstatuar se objekti i plotëson kushtet minimale teknike. SKANDAL mbi skandal.
Më datë 5 mars 2024, dega e PDK-së bazuar në ankesat e pranuara nga disa zyrtarë komunal për këto veprime skandaloze të kryetarit të Gjilanit, i ka bërë kërkesë zyrtare Drejtorisë së Inspeksionit sipas ligjit për qasje në dokumente zyrtare, por nuk na është kthyer përgjigje fare deri në momentin kur kryetari i Gjilanit është detyruar nga Agjensioni për Informim dhe Privatësi që t’i përgjigjet kërkesës tonë për qasje në dokumente zyrtare.
Më datë 13 gusht 2024, pra pas 160 ditëve PDK ka pranuar përgjigjen dhe dokumentet e kërkuara nga drejtoresha e inspeksionit, e cila shihet se nuk ka guxuar me na ofru përgjigjen, derisa është detyruar Alban Hyseni, gjë që shihet dhe vërtetohet edhe në deklaratën e saj përmes emalit që është dërguar tek posta elektronike e PDK-së në Gjilan, ku ka theksuar se pas komunikimit me kryetarin ka kthyer përgjigjen e saj. Pra është vërtetuar se drejtoresha e inspeksionit nuk ka zbatuar ligjin për qasje në dokumente zyrtare, por ka zbatuar ligjin e Alban Hysenit.
Përveç tjerash, në raportin e kërkuar nga inspeksioni, shihet qartë që prej 15 vendimeve për rrënim gjatë vitit 2023, janë ekzekutuar vetëm tri prej tyre edhe atë ndaj disa familjeve që shtëpitë ua kanë ndërtuar donatorët. Ndërsa me bizneset kanë bërë marrëveshje dhe heshtje të rasteve.
PDK disa herë ka ngritur shqetësimin për dukuritë e keqpërdorimeve të mëdha që po bëhen nga i pari i komunës, lidhur edhe me ndërtimet pa leje që po bëhen në qytetin e Gjilanit.
E ftojmë publikisht hetuesinë dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan që të iniciojnë kryerjen e hetimeve për shkelje ligjore, keqpërdorime dhe elemente të korrupsionit që po praktikohet kudo në institucionet komunale të Gjilanit, konkretisht në dhënien e tenderëve dhe lejet ndërtimore.
Nesër do të publikojmë skandalet e drejtorisë së urbanizmit.