Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvend, shkruan Reporteri.
Nga kjo parti kanë bërë të ditur se do të iniciojnë një seancë të jashtëzakonshme ku presin që të kalojë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Sot kemi pasë një mbledhje të gjatë të partisë. Sot si kryesi kemi debatuar se si ta ndihmojmë vendin. Kemi kërkuar për muaj që të gjitha partitë të ulen dhe ta riadresojmë çështjen e rimëkëmbjes ekonomike, Kjo pako ka dështuar për muaj të tërë. Sot PDK ka marrë vendim të inicojë seancë të jashtëzakonshme sa i përket Ligjit ku presim që edhe partitë tjera duhet ta votojnë ngase është në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së.
Hoxhaj tha se seanca pritet të mbahet të premten.
Sot gjatë ditës, Komisioni për buxhet ka miratuar katër amandamente të propozuara nga PDK-ja për përfshirje në Projektligjin për rimëkëmbje.
Kjo ka bërë që PDK-ja të ndryshojë qëndrim, pasi deri më tash nuk e ka përkrahur atë. /Reporteri.net