Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se menjëherë pas raportimit për dyshimin e prejardhjes së mishit nga një kompani në Kosovë, janë marrë masat e nevojshme, raporton teve1.info
Përmes një statusi në Facebook, Peci shkroi se një inspektor është dërguar në komision disiplinor, derisa shtoi se nëse vërtetohen pretendimet e tilla, të gjithë të përfshirët në këtë rast do të përballen me pasoja ligjore.
“Pa dashur të paragjykojmë të vërtetën si dhe duke u nisur nga parimi i prezumimit të pafajësisë, ne nuk kemi qëndruar duarkryq por i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet paraprake institucionale.
Inspektori ne fjalë është dërguar në komision disiplinor ndërsa operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.
Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik.
Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera si Doganat e Kosovës dhe ATK të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra-tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara.
Në rast të konfirmimit të pretendimeve të gjithë individët e involvuar si dhe operatori ekonomik do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative”, ka shkruar ndër të tjera Peci.