Shkruan Hafiz Gagica
Ideologët e ,,Bashkim Vëllazërimit’’ dhe shërbëtorët e sistemi famkeq ish jugosllav duket qartë se janë betuar për ta penguar me çdo mjet procesin e ndryshimeve politike në Kosovë si dhe zhvillimin e saj si një shteti funksional!
Kur shohim disa funksionarë apo fëmijët e tyre, prindërit e të cilëve dikur na quanin irredentistë, nacionalistë dhe shkatërrues të “Bashkim- vëllazërimit” jugosllav, më kthejnë në kohën kur mijëra patriotë izohoheshin, burgoseshin, vriteshin dhe diferencoheshin nga të qenurit shqiptarë me urdhërat e padronëve të tyre shpirtëror dhe idelogjik!
Tani përmes mediave të kontrolluara nga grupet e interesit dhe rrjetet sociale, çdo mendim ndryshe apo ide për ndryshim, nuk mbetet pa u kritikuar nga kjo logjikë moniste-diktatoriale e mallkuar, e që ende frymon brenda sojit të përmendur më lartë.
Siç duket, rrezikun e ndryshimit me zgjedhjet e 6 tetorit, po e ndiejnë gjitë ata që e kanë penguar dhe vjedhur shtetin dhe pasuritë e Kosovës, andaj po i frikësohen tej mase çdo ndryshimi të mundshëm politik dhe ligjor, i cili kastën e korruptuar, oligarkinë politike si dhe të inkriminuarit në vepra kriminale do i vendos para drejtësisë!
Fryma që e ka ngjallë shpresën e popullit për një të ardhme më të ndritur të vendit tonë, sikur i ka bërë bashkë të gjithë kundërshtarët e shtetit ligjor, por një nisje e tillë mund të pengohet vetëm përkohësisht, sepse unë besoj fuqishëm se nuk do ketë forcë e cila do mund ta ndalë ndryshimin e votuar nga vet populli i Kosovës me 6 tetor 2019! Nga po ky popull që i ka rezistuar lloj-lloj pushtuesi, prandaj ai do dinë si t’i përballojë edhe këto poshtërime që po i vijnë në vazhdimësi nga një klasë e hajdutëve të pasurive dhe lirisë së Kosovës!
Të gjitha pengesat janë drejtuar kundër Albin Kurtit, duke e etiketuar dhe sulmuar si njeri të pa përvojë, i pa aftë për negociata me Serbinë, si frikacak që i frikësohet postit të kryeministrit, e çka jo, tjetër!
Sipas kësaj logjike linçuese asnjë lider politik, në asnjë vend të botës nuk u dashka të merrej me politikë, apo të marrë përgjegjësi politike, po qese nuk ka “përvojë” në fushën e hajnisë, korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së shtetit, apo..?!
Fryma e bashkëpunimit dhe kolegjialitetit do të ishte dëshmitari më i mirë se kujt i ka mbetur deri te zhvillimi i vendit dhe fillimi i ndryshimit të kësaj gjendjeje të mjerueshme në të cilën oligarkët e kanë katandisur Kosovën, duke e penguar, përgojuar, shantazhuar dhe njollosur njerin, të cilit sovrani ia dha shumicën e votave, siç është rasti me Albinin, simbolin politik të gjeneratave të reja të Kosovës!
Çdo veprim i kundërt që bëhet është në dëm të interesit tonë nacional, sepse “Interesi Nacional” nuk është vetëm një term imagjinar, por është kohë e humbur e cila do na kushtojë shtrenjtë si shtet dhe si popull, por edhe brezave që po vijnë.
Është çasti historik për të vepruar dhe për të siguruar një të ardhme të dinjitetshme për popullin shqiptar të Kosovës, i cili ka vuajtur aq shumë gjatë për ta pa dhe shijuar lirinë aq të shtrenjtë!
Prandaj, iu bëj thirrje gjithë penguesve të ndryshimeve politike, hapni rrugën ndërtimit të qeverisë së re të Kosovës, përkraheni votën e sovranit, në mos për asgjë tjetër, atëherë duke i qëndruar besnik zërit të votuesve të sinqertë, duke qenë të bindur se ndryshimi pozitiv do të vije patjetër!
Unë jam anëtar i LDK-së tradicionale, të asaj LDK-je, e cila në çdo rrethanë ka qenë koherente dhe ka vepruar konform interesave nacionale, por në rend të parë dhe para së gjithash, jam shqiptar dhe e ndjej obligim moral dhe kombëtar që të kontribuoj për vendin tim, ashtu siç kam punuar dhe vepruar në kohëra shumë më të vështira se sot!
Prandaj, kompromiset janë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme për rrethanat në të cilat ndodhet Kosova. LDK duhet të gjejë forcë dhe t’i thotë po koalicionit me LVV-je, gjegjësisht krijimit sa më të shpejtë, të institucioneve të vendit!
Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane, më në fund duhet të vihen para çdo interesi individual, partiak dhe politik!