Çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë të Kosovës është komentuar edhe nga ministri aktual i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Ai tha se mosha 58 vjeç do të mund të ishte kohë e pensionimit të parakohshëm. E nga sindikata e punëtorëve të këtij institucioni vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se mosha 55-vjeçe duhet të jetë mosha e pensionimit.
Çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë është përmendur tash e sa kohë. Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se nuk është caktuar ende kjo, por mund të jetë mbi 55 vjeç, sa është kërkuar.
“Ende nuk ka diskutime konkrete, por sipas mendimit tim nëse policët pensionohen në moshën 58 vjeçare, kostoja buxhetore që do të ngarkonte buxhetin e shtetit do të ishte minimale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ekrem Mustafa.
Mirëpo nga Sindikata e Punëtorëve të Zyrtarëve Policorë, Shaban Tasholli, thotë se 55 vjeç është mosha ideale e pensionimit të parakohshëm të këtyre të fundit, ndërkaq nuk mohoi që kjo çështje ka filluar të lihet në harresë
“Çështjen e pensionimit të policëve e kemi diskutuar disa herë. Ne kemi menduar se mosha 55 vjeçare do të ishte ideale për pensionimin e hershëm, parakohshëm apo të rregullt, sido që ta quajmë. Ne mirëpresim si sindikatë që pensioni të jetë nga mosha 55 vjeçare. Por deri tani nuk ka ndodhur dhe si do të ndodh nuk e di”, shprehet Shaban Tasholli.
Tasholli gjithashtu tha se zyrtarët policor ende nuk e kanë të rregulluar pensionimin invalidor.