Ishte viti 1974 kur në Drejtorinë e Kadastrës dhe Gjeodezisë punësohet një gjeodet i ri shqiptar. Deri atë vit të gjitha dokumentet kadastrale zyrtare plotësoheshin ekskluzivisht në gjuhën serbe (pa asnjë përjashtim).
Shkruan: Gani Neziri
Për më tepër dhe për më keq, i ashtuquajturi “kadastri përshkrues” ishte i tëri në alfabetin “cirilik” që nuk ishte i lehtë për tu lexuar nga palët shqiptare. Në fakt, nuk lexohej lehtë nga kushdo që nuk ishte serb.
Veçanërisht, për syrin e gjeneratës së re shqiptare, ishte edhe i egër e trishtues.
Ndërsa planimetria si dokumentacion i sektorit gjeodezik që ishte përgatitur në kohën e Jugosllavisë “së re” titiste ishte e shkruar në alfabetin latin, por, gjithsesi edhe kjo ishte veçse në gjuhën serbe.
Që do të thotë se, në këtë drejtori çdo gjë frymonte serbisht. Madje, edhe pse aty punonin edhe disa punëtorë shqiptarë.
Këtu, jo vetëm administrimi por, edhe bisedat e lira ndërkolegjiale duhej të zhvilloheshin serbisht, sepse, punëtorët serb të administratës “nuk dinin” të komunikonin në gjuhën shqipe.
Në vitet e shtatëdhjeta, vinin gjeneratat e para të gjeodetëve shqiptarë, gjithsesi si rezultat i politikës komuniste (që bukur shpesh e përgojojmë padrejtësisht për të keq).
Në këtë vazhdë, vjen edhe një gjeodet i ri (19 vjeçar) i cili veçse kishte kryer maturën.
Pa dyshim që për disa muaj do të ketë punuar si “praktikant” gjeodet, derisa të “piqej” profesionalisht.
Pa dyshim se edhe bisedat profesionale-kolegjiale do të kenë vazhduar në gjuhën serbe si edhe më parë, sepse, kolegët e tij ishin serbo-malazez.
Mirëpo, pasi kalon stazhin e gjeodetit praktikant fiton titullin e gjeodetit të pavarur profesional. Pra, i jepen punë dhe detyra profesionale për matje pronash (ngastra) pa përcjellës profesional.
Me këtë rast, që në ditën e parë që del në terren si gjeodet i pavarur, duhej që matjen e ngastrës ta skiconte në “manual” dhe ta plotësonte me shënime plotësuese që shpjegonin arsyen, qëllimin dhe rrjedhën e punës. E po ashtu, edhe të dhënat mbi pronarin juridik të ngastrës.
Të gjitha këto shënime shpjeguese të nevojshme i hodhi në skicën e manualit veçse në gjuhën shqipe. Kjo ishte hera që një dokument zyrtar kadastral të plotësohej në gjuhën shqipe.
Normalisht se, për punën e kryer në terren duhej ta njoftonte eprorin e tij (serb) nga i cili kërkohej verifikimi profesional nëse matjet ishin bër ashtu sipas rregullit të kërkuar.
Kur eprori (serb) i lëshoj syrin manualit që kishte përgatitur gjeodeti i ri dhe kur shikoi se i gjithë shpjegimi i skicës ishte bërë në gjuhën shqipe, desh luajti nga mendtë për një çast. Kapi kokën me dy duart duke bërtitur me zë të lartë e kërcënues: “Shta je ovaj përlavi jezik ubacen u papir? “Ajdemo sada da pishemo i ciganski i da përlavimo cello katastar”! (Çka është kjo gjuhë e ndyrë kështu e hedhur në letër? Ejani tani të shkruajmë edhe në gjuhën e ciganëve e ta ndotim krejt Kadastrën)!
Kështu duke llomotitur, shkon në zyrën e drejtorit të drejtorisë kadastrale tek i cili u ankua demonstrativisht duke përsëritur fjalët fyese për gjeodetin dhe gjuhën e shkruar shqipe në manual.
Duhet kujtuar këtu pozitivisht ndërmjetësimin e drejtorit i cili mjeshtërisht e amortizon nervozizmin e serbit duke qetësuar situatën në dobinë e gjeodetit të ri. Nga ku prej kësaj dite fillon gradualisht përdorimi i gjuhës shqipe në Kadastrën e Komunës së Gjilanit.
Pas luftës së lirisë, në vend se të avancohej meritueshëm në pozitë udhëheqëse, atë e largojnë nga puna si “tepricë teknologjike”! Vendim ky i motivuar banalisht nga politika e re egoiste dhe primitive e vitit 2003.
Sot, kam kënaqësinë të tregoj publikisht se ky gjeodet ishte Mahmut Bajrami, i cili sot po e mbyllë “mandatin” 46 vjeçar si gjeodet në Kadastër. /2LONLINE.com/
….
Sqarim: Drejtori i Kadastrës dhe Gjeodezisë në vitin 1974 ishte Ismet Halili nga Gadishi, të cilit, duhet t’i njohim hisen e merituar në këtë fitore të madhe që ndryshon historinë e të shkruarit në Kadastër.
/Autori ka qenë drejtor i DKGJP nga viti 2008 deri 2013/