Është pensionuar në Gjilan, pas një pune shumë vjeçare me ditar në dorë, mësuesja Vahihe Maliqi, si njëra nga mësueset e para të Karadakut.
Ajo u lind me 01.04. 1955 në fshatin Zhegër të Gjilanit, Rrjedh nga një familje me tradita të pasura atdhetare. Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa në Gjilan, kreu shkollën e mesme normale dhe më pas Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi mësim klasor.
Pas kryerjes së Shkollës Normale punësohet në Zhegër, në vendlindje si mësuesja e parë e kësaj ane. Ajo kujton se si drejtori i shkollës Ismajl Kadriu, kolektivi dhe prindërit e gjithashtu dhe nxënësit e kishin pritur me shumë entuziazëm mësuesen e re. “Punoja me zell dhe me përkushtim, ndjeja obligime dhe përgjegjësi. E doja punën time të mësueses dhe po punojë në vendlindjen time dhe kjo mua me bënte të jem shumë e përkushtuar dhe këtë e bëja me dashuri”.
Përpos punës me nxënëses ajo u dëshmua edhe më kurset për zhdukjen e analfabetizmit dhe arsimimin e grave dhe vajzave në anën e Karadakut. “Përpos këtyre kurseve në atë botë bënim edhe kurset për dhënien e ndihmës së pare dhe kurse të tjera të cilat bënin të ngritët emancipimi dhe shkollimi i femrave”, kujton mësuesja Vahide.
Mësuesja Vahide, prej viti 1985 filloi punën në Shkollën Fillore “Musa Zajmi”, në Gjilan, si mësuese e mësimit klasor, ku punoi deri në ditën e pensionimit të saj. Ajo punoi më pasion dhe ishte respektuar nga kolektivi dhe institucionet arsimore me mirënjohje dhe lëvdata, për edukimin e brezave.
“Në kolektiv mësuesja Vahide, njihet si punëtore e dalluar, principiele dhe mbi të gjitha si pedagoge shembullore e cila ka përcjellë shumë gjenerata të suksesshme”, thonë përfaqësuesit e shkollës, duke shprehur respekt, dashuri dhe duke uruar shëndet ne pensionimin e mësueses Vahide Maliqi, si njëra nga mësueset e para të Luginës së Karadakut./xL/