Pas një përvoje profesionale të Pediatrisë, Hajriz Ibrahimi sot është pensionuar shkruan Radio Star.
Në një takim lamtumirës i organizuar nga stafi i cili kishte punuar një kohë të gjatë, Hajriz Ibrahimi ka pranuar edhe një mirënjohje për kontributin e dhënë.
Biografia e Dr. Hajriz H. Ibrahimi:
Dr. Hajriz H. Ibrahimi, u lind më 6 Maj të vitit 1959 në fshatin Vërbicë e Zhegocit, Gjilan. Në moshën tre vjeçare, ai u shpërngul nga vendlindja në qytetin e Gjilanit. Shkollimin parafillorë, fillorë dhe gjimanzin “Zenel Hajdini” në drejtimin e shkencave natyrore i mbaroi si nxënës i shkëlqyeshëm në Gjilan. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Dr. Hajrizi mbaroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme dhe mori titullin Doktor i Mjekësisë. Gjatë studimeve, përkatësisht në vitin 1982, Dr. Hajrizi u burgos padrejtësisht nga regjimi i atëhershëm, shkaku i bindjeve politike kundër atij regjimi.
Në vitin 1988, Dr. Hajrizi filloi për herë të parë punën si mjek në shërbimin e vaksinimit pranë ish- Shtëpisë së Shëndetit (tani QKMF). Tutje, Dr. Hajrizi ka ofruar shërbime shëndetësore në fshatrat Zhegër dhe Shurdhan për një periudhë kohore. Nga aty, në fillimet e vitit 1994, regjimi i atëhershëm dhunshëm e dëboi nga puna. Pastaj, po në të njëjtin vit, Dr. Hajrizi themeloi ordinancën e tij të pavarur të mjekësisë së përgjithshme “Preventiva” në Gjilan, zhvilloi veprimtarinë e tij private, deri në mbarimin e luftës. Në këtë ordinancë u ofruan shërbime gjithpërfshirëse shëndetësore, shërbeu dhe për refugjatët të ardhur nga Drenica, gjithashtu ishte derë e hapur për nxënës, student, si dhe mjek të rinj për kryerjen e praktikës profesionale. Tutje, Dr. Hajrizi dha kontributin e tij në edukimin e popullatës për gjendjet emergjente të asaj kohe.
Duke patur gjithmonë pasionin dhe dashurinë e madhe për profesionin tij human, Dr. Hajrizi regjistroi specializimin nga lëmia e Pediatrisë me vetëfinancim në vitin 1996. Gjatë edukimit të tij profesional, Dr. Hajrizi kreu specializimet nga lëmia e Mjekësisë Familjare dhe lëmia e Pediatrisë.
Në vitin 1999, Dr. Hajrizi u rikthye në punë pranë ish- Shtëpisë së Shëndetit (tani QKMF), si mjek në dispanzerin e fëmijëve. Ndërsa, në vitin 2000 nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Prishtinë, u zgjodh Drejtor i QKMF Gjilan, për një mandat katër vjeçar, duke dhënë kontribut kyç në fillimin e implementimit të Mjekësisë Familjare. Nga kjo udhëheqje, ndër të tjerash, vlen të theksohet, suksesi në zhvillimin e projekteve të mwdha në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe partneriteti i vazhdueshëm me Dartmouth Medical School në Amerikë.
Pediatër shembull dhe shumë i dashur, Dr. Hajrizi për vite me radhë ofroi shërbime shëndetësore kualitative për fëmijët e komunës së Gjilanit, ndër të tjerash, vizitat nëpër çerdhe si dhe ishte pjesë e komisionit për vlerësimin dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve me aftësi të kufizuara pranë Drejtorisë së Arsimit. Gjatë karierës së tij, ai ka ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese, me ndikim në shëndetësi. Ai vazhdon kontributin e tij në sektorin privat.
Dr. Hajrizi shquhet për natyrën e tij të qetë dhe shumë humane, duke patur një rol të jashtëzakonshëm për vite me radhë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit. Ai pensionohet më datë 06 Maj 2024, pranë QMF 28 Nëntori Gjilan.