Në shtator të vitit 2001, liderë dhe përfaqësues të pushtetit lokal në Anamoravë u mblodhën në kampin “Montith” në Gjilan, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë, e cila u vlerësua e mirë.
Koloneli Kamerer, në një bisedë me zëvendëskryetarin e Komunës, Xhemajl Hyseni, ishte shprehur falënderues ndaj qytetarëve të Gjilanit, për përkrahjen që i dhanë SHBA-ve dhe popullit të saj, pas aktit terrorist në qendrën botërore të tregtisë.
Ai ishte zotuar se përkundër ngjarjeve që ndodhën në SHBA, KFOR-i amerikan do të vazhdojë me përgjegjësi të plotë misionin e vetë paqeruajtës në sektorin lindor të Kosovës.
“Qytetarët këtu nuk kanë arsye të jenë të shqetësuar, sepse ne po vazhdojmë ta monitorojmë kufirin e Kosovës me Serbinë dhe Maqedoninë”, tha koloneli Kamerer.
Në rrugën e normalizimit ka hyrë edhe situata në Maqedoni, ku pas ndërhyrjes së NATO-s, vërehet një avancim i procesit politik, kishte thënë Kamerer. /MediaFokus/