Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, e ka komentuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës e cila e ka liruar nga detyra Lulzim Krasniqin, Konsullin e Përgjithshëm në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjinovci ironizoi duke thënë se “këqyreni me çka merret konsulli i Kosovës në New York, domethënë merret ne flamuj të UÇK-së”.
Statusi i tij në Facebook vjen pasi Krasniqi përmendi edhe punën e flamurit të UÇK-së që e kishte mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, duke thënë se ka qenë ministrja Gërvalla që në muajin prill e kishte kërkuar largimin e flamurit nga Konsullata.
“E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”, shkruan në letrën e tij Krasniqi.
Për këtë, Gjinovci deklaroi se do ta kuptonte “konsullin e Kosovës në Beograd me qitë flamurin e UÇK-së, po në New York pse, kujt?”,
“Kanë çu në vendet aleate si konsuj e amabasadorë njerëz provincialë e pa përgatitje. Nuk e dijnë sa ofenduse osht për ni ven me i çu ambasador mediokër e provincial. Osht mungesë e thellë e respektit për venin ku e çon anipse ti je ka ja bon ni të mirë militantit a kusherinit. Veç ni flamur duhet me pas konsullatat e amabasadat e Kosovës, veç flamurin tonë shtetnor”, shkroi ai në Facebook.
Gjinovci përfundoi shkrimin duke u shprehur se Kosova është projekti i përbashkët “i krejt neve, i krejt partive, i krejt iniciativave ushtarake a politike që prej 1912 e tutje”.
“Kosova është arritja jonë ma e madhe”.
Megjithatë, konsulli i shkarkuar, Krasniqi ka thënë se tashmë në Nju Jork s’do të ketë kush të ofrojë shërbime konsullore në prag të pushimeve të verës kur kërkesat për dokumentacione do të arrijnë kulmin.
Vendimin për shkarkim, ai e ka quajtur si arbitrar dhe tendencioz dhe ka paralajmëruar se do të ankohet në institucionet përkatëse apo edhe në Gjykatë.
“Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë”, ka shkruar tutje në letrën e tij Kransiqi.