Komuna e Vitisë në nëntor të vitit 2024 kishte dhënë një kontratë 3 milionëshe për punë shtesë. Kontrata mbante nënshkrimin e kryetarit të kësaj komunë Sokol Haliti, dhe jo të ndonjë zyrtari të prokurimit siç ndodh zakonisht. Tre muaj më pas kontrata u anulua. Komuna thotë se ndodhi një gabim, nga 300 mijë euro sa ishte vlera, u shënua 3 milionë. Ngjarja mori një drejtim tjetër pasi kryetari tha se dokumenti që mban vulën e tij nuk është nënshkruar nga ai. Nga kush u bë nënshkrimi dhe pse iu desh Komunës tre muaj për t’a përmirësuar gabimin?
Shkruan: Blenera Karaxha
Komuna e Vitisë me 15.10.2024, dha aprovimin për punë shtesë në vlerë prej 3.410.000.00 euro.
Kjo kontratë u dha për Grupin e Operatorve Ekonomik “JAVNA RAZSVETLJAVA d.d Branch in Kosovo Everlight SH.P.K.”.
Sipas dokumentit të publikuar këto kompani do të bënin: Raportin e auditimit, zbatimi i masave të efiçienca së energjisë në ndërtesa vetëm për komponentën e ndriçimit dhe zbatimi i masave të efiçienca së energjisë së ndriçimit publik.
Komuna bëri një gabim në këtë kontratë nga 300 mijë sa do të duhej të ishte kontrata, u bë 3 milion.
Tenderi në fjalë mban nënshkrimin e kryetarit Sokol Haliti, ndonëse zakonisht për të tilla raste përkujdeset zyra e prokurimit.
Aty thuhet se vendim hyn fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryetari i Komunës së Vitisë.
Por, që këtu rasti merr rrjedh tjetër.
Kryetari Sokol Haliti, i pyetur nga Gazeta Insajderi rreth kontratës në fjalë thotë fillimisht se nuk i kujtohet, më pas thotë se do i kërkoj llogari zyrtarëve, e pas disa ditëve deklaron se nënshkrimi për këtë kontratë u bë nga nënkryetari.
Edhe pse reagimi i Komunës do të duhej të ishte i menjëhershëm për të anuluar këtë vendim, këta të fundit u kujtuan vetëm disa muaj pas nënshkrimit për ta bërë këtë.
A u përdor nënshkrimi i kryetarit dhe pse anulimi i kontratës mori tre muaj kohë?
Tenderi për shërbimet e energjisë në Komunën e Vitisë, u anulua në fund të muajit shkurt të këtij viti.
Pra, Komunës iu deshën tre muaj që të anuloj vendimin ku u tha se do jepen 3 milionë euro, e në fakt do të duhej të ishin 300 mijë euro.
Në vendimin e anulimit që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se anulimi po bëhet për shkak të një lëshimi teknik.
Gazeta Insajderi, ka kërkuar sqarime nga zyra e prokurimit në Komunën e Vitisë se pse u vonuan për t’a anuluar kontratën.
Në një përgjigje thuhet se në tenderin në fjalë kishte gabim teknik dhe se kryetari ishte jashtë vendit dhe prandaj lënda ka marrë aq kohë.
“Kryetari ka qenë jashtë vendit, kur ka shku lënda për ekzekutim është kuptu që është gabim dhe janë marrë masa menjëherë duke e anuluar”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, kryetari i Vitisë Sokol Haliti, i tha Insajderit se mjetet nuk janë ekzekutuar dhe se ka anuluar vendimin kur pa që diçka nuk është në rregull.
“Ka qenë nënshkrimi i nënkryetarit, anulimi është bërë nga ana ime. Vendimi nuk është ekzekutuar, pasi verifikohen gjithnjë për me i ik gabimeve”, tha ai.
Ndonëse dokumenti mban nënshkrimin e tij, kryetari tha se e ka nënshkruar nënkryetari.
Në bazë të kësaj i bie që nënshkrimi i kryetarit është ‘shfrytëzuar’ nga nënkryetari.
Edhe nga zyra ligjore i thanë Insajderit, se dokumenti me gabime u nënshkrua nga nënkryetari e që sipas tyre kryetari nuk ishte fare në dijeni se kontrata ka mospërfillje.
“Vendimi paraprak u nënshkrua nga nënkryetari, ndërsa vendim për anulim u nënshkrua nga kryetari për shkak se ka pas mos përfillje dhe s’ka qenë kryetari i informuar dhe ka anuluar vendimin“, theksohet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Insajderi./Insajderi/