Që nga paralaufta, në Kosovë asnjëherë nuk ka ndodhur që drejtësia kosovare të shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm dhe ai të vërtetohet në shkallë më të larta.
Por Marsi i këtij viti do të mbahet mend për dy të tilla.
Madje dënimi më i rënd i paraparë me Kodin Penal të Kosovës u shqiptua dy herë brenda këtij muaji dhe atë për dy krime që u bënë ndaj grave në Kosovë.
Pjetër Nrecaj, i cili vrau gruan dhe vajzën e tij në gusht të vitit 2018, u dënua me burg të përjetshëm.
E masë e njëjtë e dënimit u mor edhe ndaj Naser Pajazitaj. Pas kthimit të rastit në rigjykim, ai u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, më 9 nëntor të vitit 2015.
Organizatat që merren me mbrojtën e të drejtave të grave në Kosovë, besojnë se në rritjen e nivelit të dënimit për këto raste, ka ndikuar presioni publik dhe protestat.
Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, burgimi i përjetshëm në këto dy raste është i duhuri.
Njëjtë shprehet edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Shala thotë se në këto raste janë analizuar drejt rrethanat lidhur me caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Pas luftës, vetëm në një rast ishte shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm, por atë e kishe rrëzuar Gjykata e Apelit.
Dënimi ishte shqiptuar në vitin 2015, ku Gjykata Themelore e Prishtinës, kishte shpallur fajtor dy shtetas kosovarë, të cilët kishin kryer vrasjen makabre të një shtetasi serb me orgjinë boshnjake nga Novi Pazari. Por, Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë dhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm i dënoi me 25 vjet, respektivisht 22 vjet burg.