Me shkas: Me rastin e fillimit të fushatës për pastrimin e qytetit…!/
Krijohet përshtypja në vendin tonë se më parë kemi dëshirë të flasim, të shkruajmë e të adresojmë probleme të globit, si Kriza Bërthamore në Korenë e Veriut, sesa të flasim për tema që janë aq të rëndësishme, si përfoljet me të drejtë, për prishjen e Parkut të Qytetit, si pjesë e projektit të synuar për zgjerimin e hyrjeve në qytetin e Gjilanit, me shumë shirita të komunikacionit. Sot dua ta shpreh këtë brengë me nxitim e prioritet, pasi që Parku i Qytetit, për rrethanat e vendit tonë, është ndër më të rëndësishmit e zonës urbane.
Shkruan: Flurim Arifi
Gjilani nuk e ka Qendrën e vet Historike si Prizreni; nuk i ka rrugicat e shtruara me kalldrëm për ta përjetuar vjetërsinë urbane-historike, prandaj tash na duhet të paktën një qytet normal, me parqe relaksimi për të gjithë qytetarët dhe grupmoshat.
Le t’i pyesim ekspertët e mobilitetit në trafik, apo inxhinierët e infrastrukturës, për rastin e zgjerimit të rrugëve në hyrje të qytetit, dhe jemi shumë të bindur se japin argumente kundër shkatërrimit të parkut, edhe sikur rrugët me shumë shirita të komunikacionit të zgjeroheshin deri në udhëkryqin përballë objektit të Teatrit të Qytetit, sepse është logjika e “fytit të ngushtë”, kur veturat vijnë nga hyrje të gjera me shumë shirita të komunikacionit rrugor dhe vijnë në zonën më në brendësi duke u ngushtuar, që nuk e përballon dot numrin e mjeteve motorike (vetura, autobusë etj.). Pra, edhe sikur të vinin këta shirita komunikacioni deri në ‘zemër të qytetit’ për t’i shkatërruar ‘mushkëritë urbane’ – Parkun e Qytetit, nuk është se do të ulnin ngarkesën dhe kolonat e mjeteve motorike. Asnjë arsye inxhinierike, profesionale dhe rrugore nuk është që hyrjet e rrugës së Gjilanit të vijnë deri në udhëkryqin përballë të lavdishmit Idriz Seferi, e aq më pak, kur është fjala për dëmtimin, pjesërisht apo plotësisht, të Parkut të Qytetit.
Parku i Qytetit të Gjilanit është mjaft i vogël kur e krahasojmë me parqet e shteteve të zhvilluara në Perëndim dhe ato jashtë tij, por për Gjilanin, konsiderohet një ndër ‘mushkëritë’ mërelevante mjedisore. Secila lagje e Gjilanit ka nevojë për një park të gjelbër, ashtu siç është ndërtuar edhe në lagjen “Dardania 1”, ashtu siç janë parqet në fshatin e Mireshit, Pogragjës etj., ku në këto vendbanimet e fundit, një kontribut të jashtëzakonshëm dhe si model frymëzues për t’i ndjekur të gjithë, janë vetë banorët dhe mërgata e tyre jashtë vendit.
Parku i Qytetit është bërë“Shtëpia e më të moshuarve”, e lojës, argëtimit dhe freskimit të tyre nën hije pemësh. Gjersa të moshuarit e vendeve të zhvilluara kanë hapësira të mëdha rekreacioni, stabilitet më të qëndrueshëm dhe të ardhura më të mira vjetore – ku shumë pleq në vitet e tyre pas pensionimit, vizitojnë shumështete e të ruajnë vitalitetin gjer në çastin e fundit të kalimit në amshim, e jo të detyrohen të mbyllen në shtëpi duke dëgjuar vetëm ‘lajmet qendrore televizive’ – në Kosovëcilësia e jetës së më të moshuarve, nuk është akoma synimi ynë i pritshëm si shtet i ri. Prandaj, po ua prishëm parkun për hyrjet e zgjeruara të komunikacionit në qytet, ne po i largojmë përgjithmonë nga hapësira publike, të moshuarit tanë! Kur themi të moshuarit tanë, paramendojeni gjyshin dhe gjyshen tonë e të juajën, sepse jemi akoma edhe më të ndjeshëm për nevojat e të afërmve tanë!
Mos i prekni ‘mushkëritë e qytetit’! Ne duhet të ndërtojmë parqe për rekreacion në çdo lagje dhe lëre më të shkatërrojmë parkun e vetëm në qendër të qytetit, as për hir të zgjerimit të hyrjeve në qytetit dhe për asnjë arsye tjetër! Parku është filtër ajri, hije për kalimtarët dhe pushuesit brenda parkut, pjesë e identitetit të ri urban dhe vetë shëndeti publik! Parkun duhet vetëm ta ‘pastrojmë’ nga fjalët e dëgjuara e të pahijshme për disa veprime të individëve, që në asnjë mënyrë nuk mund të përgjithësohen, edhe kur ato adresohen me të drejtë nga mediat, sikur ka ndodhur më parë.
S’besoj që ju zhgënjeva, kur sot fola për Parkun e Qytetit, e jo për Krizën Bërthamore në Korenë e Veriut! Për parkun, ne vendosim për ta ruajtur e mirëmbajtur atë, ne jemi vendimmarrës, ndërsa për Korenë e Veriut, superfuqitë që udhëheqin botën, vendosin për atë.