Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e thirrur me iniciativë të 15 këshilltarëve të PDK, VV, Vatra dhe këshilltarëve të pavarur, për të diskutuar për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, i cili është planifikuar të jetë në pjesën e Zabelit, ka dështuar të mbahet për mungesë të kuorumit.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, pas konstatimit nga sekretaria e Kuvendit se në sallë janë të pranishëm 16 këshilltarë, ndërsa 19 mungojnë, konstatoi se seanca nuk mund mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.
Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit ka sqaruar se sipas statutit të Komunës dhe Ligjit për qeverisje lokale, për të pasur kuorumin e nevojshëm duhet të jenë të pranishëm së paku gjysma e anëtarëve të Kuvendit.
Në rastin konkret nuk ka shumicë të mjaftueshme dhe rrjedhimisht nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e seancës, ka thënë Arifi.
Riza Abdyli (PDK) reagoi duke thënë se kjo seancë duhet të mbahet patjetër, sepse nuk mund të shtyhet në pakufi.
Përndryshe, në sallë ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli si dhe drejtorët komunalë.
Pas kësaj, opozita ka mbajtur konferencë me gazetarë në sallën e Kuvendit, ku janë prononcuar Riza Abdyli (PDK), Nevzat Isufi (VV), Festa Shabani (PSD), Mimoza Kadriu (Nisma) dhe Ibish Ibishi (këshilltar i pavarur), të cilët kanë thënë se do të insistojnë që kjo seancë të mbahet patjetër në ditët e ardhshme, sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, siç është lokacioni për varreza.
Siç dihet, Gjilani, prej vitesh po përballet me mungesën e hapësirës në varrezat ekzistuese dhe ka qenë duke kërkuar një lokacion tjetër për varrezat e reja.
Për shkak të mungesës së kuorumit dështon seanca e jashtëzakonshme
Ndani këtë artikull