Në kuadër të projektit individual “Eduart”, të sociologut Avni Rudakut, të përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, sot ka vazhduar projekti me ligjërata të tjera rreth trashëgimisë kulturore dhe historike të Gjilanit, dhe më pas, me vizita të organizuara në mënyrë grupore, në zonat rurale, në objektet e trashëgimisë kulturore në Përlepnicë e Kmetoc, njëra me kthim në shekullin XIX, e tjetra rivizitë në historinë e shekullit XIV.
Shkodran Ramadani, sociolog, diskutoi mbi temën “Fushatat e ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, duke vënë theksin te mitologjia dhe filozofia që qëndron pas ankthit mbi përkohshmërinë dhe nevojën për ruajtjen e objekteve kulturore-historike, për shkak se ato nuk janë vetëm objekte, por janë projeksione dhe introjeksione, ku në procesin e parë ne transferojmë ndjenja, kujtime të përbashkëta e vuajtjet në objekte dhe në procesin e dytë, i integrojmë ato brenda nesh. Ramadani përmendi edhe strategjitë e shumta në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, mënyrat kreative të ndërgjegjësimit për trashëgimi, përdorimin e medieve sociale, përdorimin e hashtagut dhe platformave të tjera televizive, konkurseve kreative, dokumentarëve, filmave, serialeve dhe mjeteve të tjera audio-vizuele që sot janë në dispozicion të të gjithëve.
Bedrije Shurdhani, artizane me përvojë disavjeçare, shpjegoi punën e kasnakëve, qëndisjeve tradicionale me motive kombëtare, duke apeluar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore, duke ua bartur përvojën e saj gjeneratave të reja rreth kasnakëve. “Fatkeqësisht, interesimi i të rinjve dhe të rejave është për t’i blerë kasnakët, por jo edhe për ta mësuar mjeshtrinë e tyre. Shpesh të rinjtë më thonë: qysh po ke nerva?!, duke aluduar në humbjen e durimit të tyre për koncentrim të gjatë në një mjeshtri të tillë tradicionale, por unë apeloj t’i ruajmë vlerat e trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore. Brezi ynë ka shumë interesim t’ua lë artizanatin brezit të ri” – vazhdoi Shurdhani, duke ndarë shumë përvoja me kasnakë, mbi 45 vjet.
Gëzim Kastrati, IT dhe ekspert i certifikuar ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike, nënvizoi rëndësinë e inteligjencës artificiale në art e trashëgimi kulturore, duke sjellë para të rinjve e të rejave të shumicës shqiptare e komunitetit serb, turk e rom, përdorimin kreativ të inteligjencës artificiale edhe në fotografitë e trashëgimisë kulturore, duke sjellë shembuj e praktika të shumëllojshme. Kastrati që në hyrje të ligjëratës tregoi shkurtimisht mekanizmin se si funksionon inteligjenca artificiale, historinë e fillimit të projektit nga vitet e ’50-ta të shek. XX e deri më sot, limitet dhe sfidat e përdorimit, brengën për informata të paverifikuara e lajme të superzhvilluara e të rrejshme, nëse nuk përdoret në mënyrën e duhur. Kastrati tregoi edhe shumë shembuj të makinave të inteligjencës artificiale, në krijimin e përmbajtjeve vizuale përmes kërkesave me tekst, por edhe transformimin e imazheve varësisht nga stilet e deritashme të artistëve pamorë. Kastrati ofroi shembuj të transformimit pamor të shtëpisë tradicionale të Muhamer Shabanit në Përlepnicë dhe Kishën e Varvarës në Kmetoc, duke lënë mbresa të pashlyeshme te pjesëmarrësit e rinj në Eduart.
Pas përfundimit të ligjëratave në sallën e Universitetit të Gjilanit, fjalën e mori në transportin e organizuar falas për pjesëmarrësit, guida në zonën rurale, bjeshkatari i njohur nga Shoqëria Bjeshkatare “Maja”, Agim Kajtazi, duke informuar pjesëmarrësit për vizitën pas përfundimit të ligjëratave, për dy vendet e trashëgimisë kulturore në Gjilan, vizitën te Shtëpia e Muhamer Shabanit, e dekadës së fundit të shek. XIX dhe Kishën Varvara në Kmetoc, e shek. XIV.
Më pas, të gjithë pjesmarrësit, u ndalën te Shtëpia e Muhamer Shabanit në Përlepnicë. “Shtëpia është ndërtuar në dekadën e fundit të shek. XIX, pikërisht më 1880. Është e vendosur në vend të rrafshët dhe ka vlera historike, arkitekturale, artistike e estetike. Është ndërtesë me karakter banimi familjar e që në vetvete përmban elemente shqiptare. Sipas të dhënave të familjarëve, shtëpia është ndërtuar nga Shaban Aga, stërgjyshi i Muhamerit, i cili ishte djali i Ahmetit që gjatë periudhës së sundimit osman kishte shërbyer si spahi. Shtëpinë e kanë punuar 5 apo 6 mjeshtër, të cilët kanë qenë nga Vraja” – citoi informacionin nga databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës, guida Kajtazi, duke informuar më gjerësisht pjesëmarrësit gjatë vizitës jashtë dhe brenda shtëpisë të Shabanit, edhe me hollësi të tjera për këtë objekt të veçantë. Sami e Bardh Shabani, familjarë të afërm të Muhamerit, mikpritën vizitorët nga të gjitha komunitetet etnike, duke ua hapur dyert edhe për vizitë brenda shtëpisë dhe ofruan shumë informacione shtesë rreth historikut të shtëpisë, investimit të vetëm nga vetë familja Shabani në mërgim dhe mungesën e mbështetjes institucionale për shtëpinë.
Më pas, vizita vazhdoi në fshatin Kmetoc, ku pjesëmarrësit vazhduan disa metra në këmbë, për të parë nga afër gërmadhat e Kishës së Shën Dhimitrit, ose Kishës Varvara, duke përjetuar ecjen në natyrë me riga shiu e dëbore. “Kisha Varvara e Kmetocit, gjendet në verilindje të fshatit Kmetoc dhe është datuar si kishë e shekullit XIV. Mbetjet dëshmojnë për ekzistencën e manastirit. Thuhet se në fillim kisha e manastirit i është përkushtuar Shën Dhimitrit e më vonë Shën Varvarës. Fasada e kishës është trajtuar me gurë të përpunuar, me një dekorim të veçantë me tulla dyshe. Enterieri i kishës ka qenë i pikturuar me afreske nga shekulli XIV, por që tani më nuk ekzistojnë. Në vitet 60 të shekullit XX disa pjesë të kishës janë konservuar. Tani kisha ka mbetur si rrënojë dhe shërben vetëm për shërbesa fetare në ditët e veçanta” – vazhdoi guida Kajtazi, për të informuar edhe më shumë pjesëmarrësit me këtë objekt të rëndësisë së veçantë kulturore dhe historike.
Projekti EDUART ka rezultuar mjaft i suksesshëm, duke u organizuar ligjërata, sesione diskutimi dhe vizita në zonat urbane dhe rurale të Rajonit të Gjilanit, me pjesëmarrës të rinj e të reja nga të gjitha komunitetet, nën udhëheqjen e koordinatorit të vullnetarëve, Ardit Jahës, dhe duke u angazhuar në projekt, edhe përkthyesi Enver Sadiku, për gjuhën serbe, dhe Blerina Morina, si përkthyese në gjuhën turke. Shkrepjet fotografike të gjithë projektit EDUART, u realizuan nga studio fotografike e Ylfete Fazliut.