Drita e ka barazuar rezultatin krejt në fund të derbit ndaj Prishtinës, duke shënuar për 3:3.
Drama e ndeshjes nisi qysh në minutën e 25-të, ku Kryeziu shënoi për epërsinë fillestare, ndërsa 15 minuta më herët dështoi të shënonte nga penalltia.
Në minutën e 35-të, Halili dyfishoi epërsinë për “Plisat”, duke shkuar në pushim me dy gola, njofton Klankosova.tv.
Pas një ore lojë, Drita arriti që ta ngushtonte rezultatin në 2-1, falë golit të Besnik Krasniqit i cili realizoi nga pika e bardhë.
Prishtina e shënoi edhe golin e tretë me Drilon Islamin 14 minuta më vonë, ku u duk se gjithçka mori fund për Dritën.
Por, vetëm dy minuta më vonë, Albert Dabdiqaj e shfrytëzoi për mrekulli një rrëmujë të krijuar në zonën e Prishtinës, duke e ngushtuar sërish rezultatin.
Ndërsa, Rron Broja, shënoi gol mjaft të bukur në frymën e fundit të takimit, duke ia siguruar “Intelektualëve” një pikë.
Me këtë barazim, Drita gjendet në vendin e parë me 44 pikë, tetë më shumë se Ballkani që gjendet në vendin e dytë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Prishtina pozicionohet e katërta me 29 pikë.