Ka përfunduar pa marrëveshje takimi që zgjati tre orë midis kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës.
Ky takim që vjen si përpjekje e radhës për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet dy partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit, u zhvillua në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Pas takimit, Avdullah Hoti nga LDK tha se marrëveshja nuk është përmbyllur ende dhe se takimet midis dy subjekteve do të vazhdojnë.
“Ne po i vazhdojmë takimet, nuk i kemi përmbyllur ende. Kaq mund të ju them për tani – nuk është përfunduar. Nuk kemi ardhur tek një konkludim dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë edhe më tutje”.
Se nuk pati marrëveshje për një koalicion, e konfirmoi edhe Glauk Konjufca nga LVV i cili tha para gazetarëve se nuk pati marrëveshje dhe se mbetet të shihet në të ardhmen e afërt.
Kujtojmë se të dyja subjektet kanë arritur t’i harmonizojnë programet për bashkëqeverisje, por ndarja e ministrive dhe në veçanti posti i presidentit është bërë shkak që këto dy subjekte të kenë mospajtime.