Ka përfunduar “Parada e Krenarisë”, e cila nisi nga sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdoi deri te Biblioteka Kombëtare.
Parada këtë vit është mbajtur nën sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”. Në nisje të saj, paradës i është bashkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai është i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia e disa deputetë. Në paradë është parë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Java e krenarisë ka nisur më 3 qershor dhe gjatë javës janë mbajtur aktivitete të ndryshme.
“Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatave që organizojnë javën e cila shërben si demonstrim për barazi te komunitetet LGBTIQ+.
Ky është edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë. /Reporteri.net/