Ka përfunduar raundi i parë i bisedimeve mes zyrtarëve rusë dhe atyre ukrainas në lidhje me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, bisedime këto që nuk sollën ndonjë marrëveshje konkrete, përveç asaj se të dy palët u pajtuan të takohen sërish.
Bisedimet zgjaten rreth gjashtë orë, ndërsa këshilltari i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, tha se qëllimi kryesor ishte diskutimi i armëpushimit.
“Qëllimi kryesor ishte diskutimi i çështjeve të armëpushimit në territorin e Ukrainës. Palët identifikuan një sërë temash, mbi të cilat u përshkruan vendime të caktuara”, ka thënë Podolyak, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se negociatorët janë kthyer në kryeqytetet përkatëse për të diskutuar rezultatet e negociatave.
Takimi i radhës i delegacionit ukrainas dhe atij rus do të mbahet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë, në ditën në vijim ka bërë të ditur kreu i delegacionit rus, Medinsky.
Ai gjithashtu u shpreh optimist se nga bisedimet mund të ketë marrëveshje konkrete.
“Ne kemi gjetur disa pika, me të cilat mund të parashikojmë qëndrime të përbashkëta”, ka thënë Medinsky.