Të shtunën në mesnatë ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Lajmin e ka bërë të ditur të dielën paradite Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 26 nëntor-6 dhjetor, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar mbi 84 mijë e 700 aplikime për regjistrim.
Nga këto, rreth 71 mijë e 900 janë aprovuar, 6 mijë e 700 janë refuzuar, ndërsa për 5 mijë e 900 aplikime pritet të përfundojë vlerësimi.
Elezi ka shtuar se pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, ndërsa një numër më i vogël do të ushtrojë të drejtën e votës fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Konkretisht, mbi 51 mijë votues do të dërgojnë pakon me fletëvotim jashtë Kosovës, rreth 2 mijë e 500 do ta dërgojnë atë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, dhe rreth 18 mijë votues kanë zgjedhur të votojnë në përfaqësitë diplomatike.
“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka njoftuar Elezi.








