Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë pajtuar në të gjitha çështjet e politikave sektoriale, derisa ka nënvizuar se pozitat ministrore do të vendosen në takimin e radhës të udhëheqësve të të dy partive.
Pas një takimi të fundit ndërmjet grupeve punuese të të dy partive, në një konferencë për media, Haziri ka deklaruar se LDK dhe Vetëvendosje kanë arritur pajtueshmëri lidhur me draft-kornizën e marrëveshjes së koalicionit.
“Sot kemi arritë me i përmbyllë politikat sektoriale dhe çështjet që lidhen me draft-kornizën e marrëveshjes së koalicionit të pritur ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Tash natyrisht ka qenë një punë e jashtëzakonshme e dy grupeve punuese dhe kemi ndërruar standardin e krijimit të koalicioneve qeverisëse në Kosovë”, ka thënë ai, raporton Insajderi.
Pasi ka konfirmuar se hapi i parë drejt koalicionit qeverisës është hedhur, Haziri ka deklaruar se hapi i dytë është “çështja e ndarjeve të përgjegjësive”.
“Çështja e ndarjes së përgjegjësive dhe strukturës qeverisëse është çështja e dytë, e cila do të vendoset në takimin e ardhshëm të liderëve të LDK-së dhe VV-së”, ka thënë Haziri.