Për mijëra nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët ishin detyruar të largoheshin nga bankat shkollore si shkak i pandemisë COVID-19, kanë përfunduar vitin shkollor 2019/2020.
Ky mësim ishte mbajtur për herë të parë në rrethana të jashtëzakonshme, e të cilat banka shkollore mbetën të zbrazëta prej 11 marsit për shkak të rrezikut nga përhapja e infektimit me koronavirus.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sa i përket punës së mësimdhënësve të cilët për shkak të moshës shtyrë e kanë pasur të vështirë të qasen në platformën online.Sipas tij, ky vit shkollor konsiderohet të jetë suksesshëm.
“Më në fund viti shkollor 2019-2920 përfundoi. Fatkeqësisht po them jo për ne por për krejt botën me mësimin nga larg që nga marsi e këndej SBASHKU ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me MASH, dhe jemi zotuar se do ta japim kontributin tonë duke mobilizuar veprimtarët tanë sindikal dhe kemi mbajtur vazhdimisht takime nga larg për të parë punën e mësimdhënësve të Kosovës dhe i mbështesim me këshilla sepse kemi pasur frikë se një pjesë e tyre mbase nuk mund të gjinden fillimisht mirë me platforma të reja që ishin. Në rrethana të tilla ky vit shkollor mund të konsiderohet i suksesshëm”, shtoi Jasharaj.
Sipas Jasharajt, në këtë kohë pandemie mbyllja në shtëpi për fëmijët ka qenë shumë e vështirë shkaku i masave të ndërmarra nga qeveria për shkak të virusit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se u kanë bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit të angazhohen për t’iu ofruar qasje në internet nxënësve që jetojnë në vise të caktuara.
“Më vështirë për fëmijët ka qenë ajo vetëmbyllja sepse nuk kanë pasur të drejta të lëvizin fare dhe me ato kufizime që ishin bërë dhe fatmirësisht i duan këto metoda të reja dhe janë gjetur shumë më lehtë se të moshuarit. Ne kemi lajmëruar me kohë MASH se një pjesë e vogël e nxënësve që jetojnë nëpër vise të caktuara ku nuk ka arritur qasjen në internet për shkak të kushteve ekonomike nuk kanë pasur mundësi të jenë të kyçur dhe shumë komuna janë angazhuar në këtë drejtim. Duke marrë parasysh se jemi në pandemi këtë vit shkollor mund ta konsiderojë të suksesshëm brenda mundësive të krijuara. Në këtë rast rol të veçantë kanë pasur edhe prindërit të cilët janë angazhuar dhe po them për herë të parë në Kosovë ka qenë në nivel ai trekëndëshi mësimdhënës, nxënës dhe prindër”, shtoi ai.
Sipas tij, sfidat më të mëdha kanë qenë për mësimdhënësit, për shkak të angazhimit me orët mësimore.
“Gjatë kohës së pandemisë sfidat më të mëdha nëse flasim për mësimdhënësit kanë qenë shumë më tepër të ngarkuar sa i përket orëve sepse në mësimin e rregullt ata e kanë një orar të caktuar dhe ata e kanë bërë të pamundurën në kohën e pandemisë që ta ruajnë rrjedhën e mbarë të sistemit arsimo, kështu që urojmë që kjo pandemi të mos përsëritet dhe të startojmë në institucione arsimore”, shtoi Jasharaj.
Mes tjerash, Jasharaj shpreson që shtatorin e vitit të ardhshëm të kthehen nxënësit nëpër shkolla, në mënyrë që të kuptohet arritja e tyre sa i përket mësojnë online.
“Në bashkëpunim me MASH shtatorin e vitit të ardhshëm uroj që të kthehemi në shkolla dhe të bëjmë një përsëritje të temave kyçe të të gjitha lëndëve mësimore për të parë se sa ka arritje, në mënyrë që vitin e ardhshme ta nisim në shkolla”, shtoi ai .
Kryetari Jasharaj, tha se javën e ardhshme presin takim me Ministrin e Arsimit Ramë Likaj , duke shtuar se do të diskutojnë që vitin e ardhshëm ta presin sa më të përgaditur.
“Ne presim javën e ardhshme takimin e dytë me Ministrin e Arsimit Ramë Likaj dhe do të bisedojmë për të gjitha çështjet dhe do të angazhohemi që vitin e ri shkollor ta presim sa më të përgatitur”.