Mbi 200 persona janë prekur me koronavirus në Itali brenda një kohe të shkurtër, ndërsa dje pasdite janë regjistruar 7 viktima
Përhapja e virusit në Italinë e afërt dhe me ndërlidhje të shumanshme me botën shqiptare e me Kosovën ka alarmuar institucionet kompetente të vendit, të cilat kanë shtuar masat mbrojtëse. Mjekët thonë se përhapja e koronavirusit do të ishte sfidë për vendin.
Ndonëse është raportuar për raste të dyshimta me koronavirus, nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thuhet se asnjë person nuk ka rezultuar të jetë i infektuar me të.
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë për “Zërin” se momentalisht situata është nën kontroll, por që në rast se një numër i madh i qytetarëve preken me këtë virus, atëherë do ishte i nevojshëm edhe mobilizimi i strukturave shtetërore. “Sa u përket masave mbrojtëse për personelin shëndetësor, jemi të pajisur me uniformat e nevojshme, me maska e me dorëza. Po ashtu edhe Instituti Kombëtar është i pajisur me testet e nevojshme, që në një kohë të shpejtë të diagnostikojë mundësinë e prekjes së ndonjë personi nga ky virus. Ne jemi të përgatitur dhe kemi edhe planin e veprimit. Tani për tani situata është nën kontroll”, ka deklaruar ai.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend është bërë e ditur dje se janë duke e përcjellë me vëmendje situatën epidemiologjike me koronavirus në botë.
Sipas këtij Instituti, Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, për parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri./Zëri