Letër shkëmbimi mes presidentit, Hashim Thaçi dhe pretendentit për kryeministër, Albin Kurti po konsiderohen nga njohësit e Kushtetutës si manovrime politike të njëri-tjetrit.
Ata thonë se presidenti nuk duhet të bëj presion me anë të letrave, pasi sipas tyre nuk ka asnjë bazë kushtetuese tjetër përveç të pres marrëveshjen potenciale, megjithatë, theksojnë se kjo nga kandidati për kryeministër nuk duhet të shkojë në pakufi.
Profesori universitar Mazllum Baraliu për KosovaPress, thotë së përkundër vonesave, ende s’kanë hyrë afatet kohore kushtetuese për presione, por shton se edhe presidenti e ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mbarëvajtjen e institucioneve.
Krahas saj, Baraliu thotë se letra e presidentit Thaçi në njërin opsion mund të shihet edhe si qëllim mire për themelimin e qeverisë sa më parë.
Ndërsa, njohësi tjetër i Kushtetutës, profesori universitar, Riza Smaka thotë se presidenti i vendit nuk është i autorizuar për të bërë presion, po shton se është detyrë e tij që të bëjë çmos që të emërohet mandatari për kryeministër.
Por mbi gjithë këtë situatë të krijuar, fajtore për Smakën është LDK. Sipas tij, kërkesat e saj janë megalomane dhe të pajustifikueshme me asgjë.
Prej takimit të para një jave mes presidentit, Hashin Thaçi dhe pretendentit për kryeministër, Albin Kurti kanë pasuar dy letër shkëmbime mes njëri-tjetrit, i pari i ka kërkuar mandatarin partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendose, derisa ky i dyti sot përmes një letre tjetër i ka cilësuar këto si presione.