Paraditen e së hënës dy kirurgë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë përleshuar mes vete.
Nga QKUK kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se për përleshjen e dy punonjësve janë njoftuar organet e rendit dhe se policia ka dalë në vendngjarje.
“Sipas informatave fillestare, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka ndodhur një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Për rastin janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla për Reporteri.net.
Policia e Kosovës tha për Gazetën Online Reporteri.net se gjithçka kishte ndodhur rreth orës 08:00 dhe se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar “Sulm”.
“Sot rreth orës 08:00, kemi pranuar informatën për një përleshje fizike, e cila ka ndodhë në QKUK në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë përfshirë dy persona. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar “Sulm””, tha zëdhënësi i policisë për Prishtinën, Enis Pllana për Reporteri.net.
Ai theksoi se sektori i Hetimeve të Kryeqytetit po merret për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Siç u raportua në media, përleshja verbale mes dy kirurgëve kishte nisur gjatë kolegjiumit të premten dhe se sot kishin hasur në të njëjtin ashensor, ku dhe janë përleshur fizikisht.

