Disa protestues serbë janë përleshur të dielën me forcat policore të Serbisë afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, – në anën e territorit serb – teksa kanë protestuar si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Protestuesit kanë thyer kordonin policor, mirëpo zyrtarët policorë më pas kanë formuar një kordon të ri më afër kufirit.
Policia është parë duke e ndaluar një person.
“Kemi ardhur këtu që të tregojmë se atje është toka tonë. Nuk duam të përballemi me njerëzit tanë. Nuk e pranojmë marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë një protestues.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011.
Në kuadër të këtij procesi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian janë arritur disa marrëveshje. /rel/