Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga e premtja në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV, krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar deri tash në KPSH.
Çka është testi rapid i antigjenit?
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, ka shpjeguar se ky test është i ngjashëm sikur PCR, apo testi serologjik, vetëm se konsiderohet më i shpejt.
Qytetarët të cilët kanë shenja të COVID-19, mund të paraqiten te QMF-të, në të gjitha komunat e vendit për t’u testuar.
Testi bëhet përmes marrjes së gjakut dhe rezultati del brenda 15- 20 minutave. Do të thotë që një person e di më shpejt nëse duhet të izolohet për të shmangur transmetimin e virusit tek të tjerët.
Sot, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nënshkroi sot plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 04/2020-Kujdesi Parësor Shëndetësor, me të cilin përcaktohen institucionet publike të KPSh, standardet e organizimit, funksionimi, veprimtaritë, shërbimet shëndetësore si dhe kuadrot profesionale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në KPSh, si pjesë e sistemit unik shëndetësor në Republikën e Kosovës.
E veçanta e këtij udhëzimi është se më këtë plotësim ndryshim, institucioneve shëndetësore publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor, në kuadër të shërbimeve laboratorike u mundësohet kryerja e testeve diagnostike rapide për detektimin e antigjenit për SARS COV-2. (diagnostikimin e COVID-19).
Kjo nënkupton se krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar më herët në institucionet publike të KPSh-së, tash e tutje mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 855 raste të reja me coronavirus.