Deputetët do t’iu drejtohen sërish sot ulëseve të Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e tyre të 32-të për të konstituuar legjislaturën e nëntë.
Seanca konstitutive do të vazhdojë sot në orën 11:00.
Që nga 15 prilli, Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk i kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit.
Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ligjor mënyrën e votimit të fshehtë që po e kërkojnë Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Formimi i komisionit mbikëqyrës për organizimin e votimit të fshehtë po has në kundërshtim nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.
Vlen të theksohet se vazhdimi i sotëm i seancës përkon me 17-vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.