Gjilani është tronditur nga rasti i Adiles, një gruaje e dhunuar dhe e shfrytëzuar nga individë të ndryshëm.
Ky rast ka nxjerrë në pah një realitet të hidhur që prek shumë të tjera si ajo, duke dëshmuar dështimin e institucioneve dhe shoqërisë për t’i mbrojtur më të pambrojturit.
Shoqata Sociale “Përpjekja” ka shprehur revoltën e saj përmes grafiteve në rrugët e qytetit, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim.
Për këtë arsye, ata ftojnë qytetarët në protestë para Komunës së Gjilanit, nesër në ora 13:00, për të kërkuar drejtësi dhe siguri për të gjithë.
Komunikata e plotë:
Gjilani u zgjua nga një gjumë i thellë ditët e fundit me rastin e Adiles, e cila ishte dhunuar dhe shfrytëzuar nga individë të ndryshëm. Publikimi i rastit të saj tregoi se abuzimi ndaj të ngjashmeve të saj nuk është rast i izoluar por realiteti i shumë komunave. Këtë të vërtetë, shqetësimin dhe revoltën tonë për dështimin institicuonal dhe shoqëror e shkruam mbrëmë mureve të institucioneve e rrugëve të Gjilanit.
Grafitet, së bashku me ftesën tonë për mobilizim dhe solidaritet i kundërvihen dhunës së përditshme që ju bëhet grave, personave me aftësi të kufizuara e të skajuarve të shoqërisë. I kundërvihen dhe i qesin sheshazi dështimet e komunës së Gjilanit, reagimet ad hoc dhe të paqëndrueshme të së cilës nuk duhet të na blejnë neve qetësinë dhe mosreagimin. Heshtja jonë na bën bashkëhisedarë/e në vuajtjen e tyre, andaj ne refuzojmë që të heshtim më tutje!
Ne ftojmë të gjithë qytetarët/et që të bashkohen për protestë para objektit të Komunës, nesër në ora 13:00, në mënyrë që të sigurojmë se kjo bisedë nuk përfundon këtu dhe që komuna e Gjilanit tash e tutje të garantoj mirëqenie dhe siguri për çdo rast të tillë!
Së bashku duhet të sjellim ndryshim!