Me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, në Kuvendin e Kosovës është miratuar të enjten është miratuar në lexim të dytë Ligji për KPM-në. Partia në pushtet miratoi Projektligjin me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro dhe që është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Në këtë pikë të rendit të ditës, opozita veçse kishte lëshuar sallën e Kuvendit, pasi kërkesa e tyre ishte që ky projektligj dhe dy të tjerë të largoheshin nga rendi i ditës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një reagim të menjëhershëm tha se miratimi i këtij ligji është goditje ndaj lirisë së medias dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre.
“Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, u tha mes tjerash në reagimin e AGK-së.
Se Kosova humbi një mundësi për të pasur dy Ligje të mira të ndryshuara, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, e tha shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Sipas shefit të BE-së, Kuvendi i Kosovës dështoi t’i fusë të plota rekomandimet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Në anën tjetër, edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kuvendi i Kosovës injoroi opinionet e BE-së, KiE-së dhe OSBE-së. Ai tha se nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë në përputhje me standardat e këtyre institucioneve.
Me shqetësim është pritur nga OSBE, ndërsa shtojnë se miratimi i këtij ligji të ri për mediat në Kosovë cenon pavarësinë e KPM-së.
Në reagimin e tyre, OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.
Miratimi i këtij ligji u kritikua edhe nga Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez. Ai tha se dita e sotme është një ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i dërgojnë në Kushtetuese të dyja ligjet, atë për KPK-në dhe KPM-në.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se miratimi i ligjeve për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është vazhdimësi e mentalitetit autoritar dhe antikushtetues të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përkundër mocionit të opozitës për t’i tërhequr këto projektligje për shkak të vërejtjeve dhe shkeljeve të shumta – Qeveria nuk deshi të dëgjoj dhe procedojë me veprimet e saj anti-kushtetuese, në tendencën për të nënshtruar e kapur Mediat dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Projektligji për KPM-në, i tillë siç është miratuar, sipas Krasniqit, është kundërshtuar fuqishëm edhe nga vetë gazetarët dhe asociacionet e tyre vendore e ndërkombëtare.
“Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime”, ka shkruar kryetari i PDK-së.
Ai ka thënë se PDK-ja do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual.
“Ne do të vazhdojë angazhimin tonë në mbrojtje të ligjshmërisë, të kushtetueshmërisë dhe të interesave të vendit, përmes kundërshtimit edhe të këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha ai.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se miratimi i këtij ligji shpërfaqë tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.
“Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Qeveria i del në mbrojtje ligjit për KPM-në, arsyetohet se ruhet pavarësia e mediave
Qeveria e Kosovës ka dalë me një sqarim të gjatë për miratimin në Kuvend të ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke i dalë në mbrojtje këtij ligji.
Sipas Qeverisë, ky ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndosh në treg. Qeveria ka deklaruar se ligji në tërësi përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e BE-së.
“Gjatë konsultimeve e dëgjimeve publike të organizuara nga Zyra e Kryeministrit, u dëgjuan shumë palë, ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias e shoqërisë civile. Të njëjtit u takuan edhe me ekspertët që kanë hartuar Ligjin, po ashtu nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit”, thuhej në sqarimin e Qeverisë.
“AGK-së i ofruam edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së”, thuhej më tej.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime: respektimit të plotë të direktivës AVMS; harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM.
“Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet”, thuhej në këtë sqarim.
Sipas Qeverisë, çdo portal që prodhon lajm vetërregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media.
“Kosova nuk ka mekanizma tjerë të pavarur, institucional, që do mund të kryenin këtë detyrë të KPM-së. E këto qëndrime, janë të harmonizuara me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, ka sqaruar Qeveria.
“Kemi ruajtur pavarësinë e mediave nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku. Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media”, thuhej në sqarim.
Qeveria ka insistuar se qytetarët do jenë të informuar në çdo kohë mbi atë kush ua plason lajmin, përmes qasjes në platformën e KPM-së e cila do tregojë saktë përfituesit fundorë të secilit medium.
Presidentes i bëhet thirrje që ta kthejë në Kuvend ligjin për KPM-në
Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi i ka bërë thirrje presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të kthejë në Kuvend ligjin e sapomiratuar për KPM-në.
Miftaraj ka thënë se ligji cenon vlerat demokratike të Kosovës.
“Arsye te kthimit te ligjit ne Kuvend ka shume. Ligji cenon vlerat demokratike te Republikes. Presidentja duhet te veproj dhe te ruaj vlerat dhe parimet mbi te cilat bazohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Parimet dhe vlerat si liria, demokracia, barazia, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit nuk mund te nëpërkëmbën, ka shkruar ai.
Presidentja e Kosovës, sipas njërës prej pikave të nenit 84 të Kushtetutës që përcakton kompetencat e Presidentit, mund ta kthejë mbrapshtë në Kuvend ligjin për KPM-në, i cili u miratua të enjten në lexim të dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Neni 84, pika e gjashtë, thekson se presidenti i Republikës së Kosovës, ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës, ose të një a më shumë komuniteteve të saj.
Mirëpo sipas po të njëjtës pikë, të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.
Ndërkaq, sipas pikës së nëntë të nenit 84, presidenti mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre./Demokracia.com/