Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përplasur sot në seancën e Kuvendit, me shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe PDK-së.
Haxhiu ka thënë se ata keqinformuan opinionin duke thënë se në komunat në veri nuk ka gjyqtarë e prokurorë. Ajo, është shprehur se në këtë mënyrë, ata madje po inkurajojnë dhunuesit, shkruan Reporteri.net.
“Së pari për herë të parë Republika e Kosovës ka pozicion të dinjitetshëm në dialog. Diçka që nuk e kemi parë më herët dhe përveç kësaj për herë të parë tre krerët e institucioneve janë të unifikuar me qëndrimet e tyre përballë Serbisë. Do të dëshiroja që këtij unifikimi t’i bashkohet edhe opozita.
Në të kaluarën kemi pa vazhdimisht lëshim në pe në dialog. Sa herë ka pasur kërkesa nga Beogradi asnjëherë si keni thënë jo. Pasojat po i ndiejmë ne. Edhe me marrëveshjen e vitit 2013. Po të mos kishte kundërshtim për atë marrëveshje sot do të kishim bosnjëzim të Kosovës. Sot ne po i ndiejmë pasojat. Për herë të parë jemi më të fuqishëm me argumentet tona politike e profesionale përballë kërcënimeve të Serbisë. Me dalë shefi i grupit parlamentar të PDK e LDK me thanë nuk ka gjyqtarë e prokurorë në veri është keqinformim. Ju po i keqinformoni qytetarët por edhe po i inkurajoni dhunuesit. Tash jam e gatshme me shku në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Atje janë gjyqtarët dhe prokurorët. A jeni ju të gatshëm me dhënë dorëheqje pastaj”, ka thënë Haxhiu.
Në fjalimin e saj ka replikuar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se Haxhiu duhet të japë dorëheqje nga pozita e saj, meqë siç ka thënë Tahiri është e sanksionuar nga SHBA.
“E nderuara ministre e SHBA-ve nuk e di a ka siklet më të madh sesa me u sanksionu prej SHBA-ve. E ki një siklet të madh nuk po të nxen veni-vend. Ne po kërkojmë angazhimin e Prokurorisë në luftimin e Veselinoviqit dhe Radojqiit që ne i kemi përzanë prej Kosovës. Ne si opozitë jemi në mbështetje të sovranitetit të shtetit. Deshtëm me ju kursy pak sepse nuk është mirë as për mu me dalë me fol me një ministre që është e sanksionume prej SHBA-ve. Unë me qenë si ju kisha dhanë dorëheqje. Me vazhdu punën një ministre që është e sanksionume prej SHBA-ve është marre”, u shpreh Tahiri./Reporteri/