Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) në Kosovë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje të përbashkët për kompensim të orëve të humbura mësimore përgjatë grevës së mësimdhënësve, e cila zgjati tre javë.
Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, ka vendosur që orët e humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve të kompensohen, porse me këtë vendim nuk po pajtohet SBASHK-u.
Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Ministrisë është në përputhje me interesin e nxënësve në mënyrë që të rikuperohet dëmi që iu është shkaktuar atyre nga greva.
Ai thotë se vendimi për zëvendësimin e orëve është marrë në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe se sugjerimet e tyre janë futur edhe në vendim.
“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plotë me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019”, thotë Gashi.
Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.
Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.