Projekti për ndërtimin e Bulevardit të qytetit të Gjilanit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të kësaj komune, është pezulluar sërish, duke shtuar pasigurinë rreth realizimit të tij.
Sipas një vendimi të marrë nga Njësia e Prokurimit të Komunës së Gjilanit, aktiviteti i prokurimit për projektin “Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të qytetit Gjilan” (nr. reference: 651-25-644-5-1-1), është PEZULLUAR pas një ankese të dorëzuar më 4 korrik 2025 nga operatori ekonomik “Pro & Co Group SH.P.K.”. Ankesa është trajtuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
Vendimi për pezullim bazohet në nenin 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nenin 6 të Rregullores për trajtimin e ankesave, dhe do të jetë në fuqi deri në përfundimin e fazës së tenderimit.
Ky është pezullimi i dytë në një periudhë të shkurtër kohore më herët, më 4 prill 2025, projekti ishte pezulluar pas një ankese tjetër nga një operator tjetër ekonomik. Të gjitha ofertat e dorëzuara atëherë u hodhën poshtë me arsyetimin se procedura do të rifillohej me dokumentacion të rishikuar.
Para disa muaj, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, në buxhetin e votuar është larguar kjo pikë për miratimin e buxhetit për Bulevardin e qytetit.
Megjithëse ishte promovuar nga qeverisja komunale si një nga projektet më strategjike për zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit, Bulevardi i ri vazhdon të mbetet vetëm një premtim.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Komuna e Gjilanit nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me pezullimin më të fundit të projektit.