Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, përuruan hapësirën e transformuar të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë, investim në vlerë prej 211 mijë euro.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari ambasador i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz
I nderuari ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
I nderuari drejtor i ShSKUK-së, Elvir Azizi,
I nderuari drejtor i QKUK-së, Mentor Zejnullahu,
Të nderuar udhëheqës e doktorë, Faik e Hamëz,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja e zotërinj,
Më lejoni që në fillim, t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Dr. Zekë Zekës, anesteziologut dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të kujtohet me respekt e mirënjohje për kontributin e tij, si për shëndetësinë publike, ashtu edhe për lirinë e vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Hap pas hapi, hapësirat e QKUK-së po rinovohen aq thellësisht, sa që po transformohen. Me secilin investim, po sigurohen edhe pajisjet moderne, po krijohen kushte më të mira për shërim për pacientët dhe njëkohësisht mundësi më të mëdha për shërim për ta, meqenëse këto kushte i dedikohen edhe atyre që kujdesen për pacientët, përkatësisht mjekëve, specialistëve dhe infermierëve.
Para gjashtë muajsh, ne u takuam këtu që ta përurojmë hapësirën e transformuar të Kardiologjisë Invazive, kur edhe u instalua angiografi i ri. Ky investim, i cili e kalon vlerën prej një milion eurove, tash është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes.
Ndërkaq, sot jemi për të përuruar hapësirën e transformuar të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë, në vlerë prej 211 mijë euro.
Në këtë njësi pacientët kanë nevojë për mbikëqyrje të afërt, trajtim dhe vëmendje të përhershme. Për ta, këto hapësira janë vendi ku kalojnë ditë të vështira, por edhe kur nisin ta marrin veten. Për familjarët e tyre, është e rëndësishme ta dinë se më të dashurit e tyre po marrin kujdesin e nevojshëm, në kushte të mira dhe nga profesionistë të përgatitur.
Të dyja këto faza të investimeve, janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, ndaj së cilës jemi shumë falënderues. Rezultatet e kësaj mbështetjeje shihen këtu, në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet cilësore, që i marrin qytetarët tanë.
Falënderoj ministrin Vitia, ekipet që kanë punuar në realizimin e projektit dhe juve, profesionistë shëndetësorë, që me punë, i ktheni investimet në kujdes për pacientët.
Pra, ndonëse koha kalon, e që të gjithë mplakemi, klinikat po rinovohen një nga një, ato po bëhen më të reja. Për ditë të vështira, kushte më të mira, ashtu që të kemi sa më shumë shërim dhe shërimi të jetë sa më i shpejtë.
Ne e kemi marrë me prioritet Kardiologjinë, sepse, ju e dini, që vdekjet më të shpeshta tek ne, janë pikërisht nga sëmundjet kardiologjike. Andaj, së shpejti do të jemi përsëri në QKUK, përsëri në Kardiologji, për të nisur punimet për rinovime, përkatësisht transformime të reja.
Ju uroj punë të mbarë në këto hapësira dhe natyrisht pacientëve shërim sa më të shpejtë.
Ju faleminderit e gëzuar të gjithëve!










